SHTETI në aksion, Kryeprokurori Lumezi: 8 milionë euro asete të sekuestruara në Prishtinë e Ferizaj

23

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, pas aksionit të sotëm të Policisë së Kosovës për lirimin e pronave të uzurpuara, ka thënë se vlera e sekuestrimit të aseteve që është bërë në regjionin e Prishtinës dhe Ferizajit kap vlerën e 8 milionë eurove.

Ai në një konferencë për media ka thënë se ditëve në vijim pritet që edhe pronat tjera të uzurpuara të lirohen nga uzurpatorët, raporton Indeksonline.

“Ne kemi pasur takim në fillim të muajit shkurt me Policinë e Kosovës dhe pjestarët e Gjykatës Themelore lidhur me uzurpimet. Prokuroria pas grumbullimit të disa provava në procedura penale ka ardhur në përfundim për një numër të lokaleve të uzurpuara në Prishtinë dhe Ferizaj”, tha Lumezi.

Ai theksoi se në operacion kanë marr pjesë 100 policë dhe kanë sekuestruar tetë prona të uzurpuara.

“Ne kemi marr urdhëresën për sekuestrimin e këtyre lokaleve. Edhe pronat tjera që janë sekuestruar do të lirohen së shpejti dhe un iu garantoj se edhe në të ardhmen do të ndërmarrim veprime të tilla konkrete lidhur me ligji”, tha tutje kryeprokurori Lumezi.

Ndërsa duke folur për uzurpimin e pronave nga partitë politike në vend, Lumezi ka thënë se shumë shpejt do t’iu vije radha edhe atyre pronave.

“Kemi prona që janë të uzurpuara dhe që janë prona private. Shumë shpejt do të vije rasti edhe atyre të cilat janë në procedura civile. Pas kësaj, nëse organet e gjyqësisë nuk largojnë uzurpatorin, atëherë ne ndërmarrim obligimet ligjore”, ka theksuar Lumezi, duke shtuar se janë në proces të analizimit të atyre pronave.

Ndërsa Major Shaip Havolli tha se me urdhër të Prokurorisë, drejtoria e PK-së ka trajtuar pronat që janë shitur nga AKP-ja.

“Deri më tani operacioni është në përfundim e sipër. Në regjionin e Prishtinës janë liruar 7 lokale si dhe në Ferizaj 4 lokale. Ndaj të gjithë uzurpatorëve janë ngritur kallëzime penale”, ka thënë Havolli. /Indeksonline/