Kryeshefi i ri i IPK-së Hilmi Mehmeti filloi detyrën

68

 Në objektin e Inspektoratit Policor të Kosovës sot u bë pranim-dorëzimi i detyrës nga kryeshefi ekzekutiv Fitim Shishani te kryeshefi i ri i IPK-së z. Hilmi Mehmeti .

Ceremonia e pranim-dorëzimit të detyrës u realizua në sallën e konferencave në objektin e IPK-së në Hajvali në prezencë e zëvendësministrit të MPB-së Valdet Hoxha, përfaqësuesve nga ICITAP-i amerikan, EULEX-i dhe stafit menaxhues të Inspektoratit Policor.

Me këtë rast z. Fitim Shishani duke i uruar sukses kryeshefit të IPK-së z. Hilmi Mehmeti, ia dorëzoi Planin Zhvillimor Strategjik 2016-2018 dhe Projektin për regjionalizimin dhe fuqizimin e IPK-së.

 

“Kolegu im Hilmi Mehmeti ka kapacitetet për të udhëhequr këtë institucion dhe ka një ekip të mirë në IPK që do ta ndihmojë në realizimin me sukses të detyrave” – theksoi z. Fitim Shishani duke falënderuar stafin menaxhues të IPK-së dhe partnerët ndërkombëtar ICITAP dhe EULEX.

Kryeshefi i IPK-së z. Hilmi Mehmeti me rastin e pranimit të detyrës së kryeshefit ekzekutiv të IPK-së theksoi se do të vazhdojë angazhimet e tij profesionale drejt avancimit të punës së IPK-së:
“Do të vazhdoj të avancoj punën e Inspektoratit Policor drejt realizimit me sukses të misionit ligjor duke punuar si një ekip e përbashkët edhe drejt avancimit të punës së Policisë së Kosovës” – theksoi kryeshefi ekzekutiv i IPK-së z. Hilmi Mehmeti.

Edhe zëvendësministri i MPB-së z. Valdet Hoxha duke falënderuar për punën e deritashme të kryeshefit Shishani theksoi edhe njëherë se IPK do të vazhdojë të ketë përkrahjen nga MPB-ja:

“Në emër të Ministrit të MPB-së dua të shpreh përkrahjen e plotë për pozitën e kryeshefit dhe IPK-së dhe në këtë mënyrë do të arrijmë objektivat e Ministrisë së Brendshme që janë avancimi – sundimi i rendit dhe ligjit dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës” – theksoi zv. ministri Hoxha duke potencuar bindjen se përvojën që ka kryeshefi nga policia do ta kombinojë me përvojën që kërkohet në IPK.

KOHA