Shefja kosovare e dyqanit kapet duke vjedhur

26

 

Ajo kishte me vete në çantë një aparat me magnet, i cili përdoret në shitore për heqjen e çipit të sigurimit të mallrave

 

Një grua 29 vjeçare, shefe e një shitoreje në qendrën e madhe tregtare Tivoli në Spreitenbach është kapur nga detektivët privatë duke vjedhur në shitoret e qendrës ku punon vet. Ajo ishte vëzhguar duke vjedhur veshmbathje të modës dhe parfume, shkruan 20minuten.ch.

Pasi që e kishte konsideruar si të dyshimtë, një shitëse e një shitoreje të madhe të modës kishte alarmuar detektivin, thotë një dëshmitar. Detektivi pastaj është vënë në ndjekje të saj dhe pasi që ajo sërish kishte provuar të vidhte, ai e kishte kapur dhe e kishte thirrur policinë, e cila e ka arrestuar kosovaren, transmeton albinfo

Siç thotë një zëdhënës policie, gruaja 29 vjeçare ka pranuar veprën. Sipas saj bëhet fjalë për vjedhje në vlerë prej disa qindra frangash, të bëra në disa shitore brenda një paraditeje.

Fakti se shumica e produkteve të vjedhura ishin të siguruara nga një çip kundër vjedhjeve, nuk përbënte problem për të. Ajo, siç ka konstatuar policia, kishte me vete në çantë një aparat me magnet, i cili përdoret në shitore për heqjen e çipit të sigurimit të mallrave, përcjell albinfo.ch. E këtë aparat ajo, thjesht, e kishte marrë me vete nga dyqani në të cilin punon, një dyqan i një zinxhiri të modës në po atë qendër tregtare.

Nëse ajo ka vjedhur edhe në shitoren ku punon, një zëdhënëse e zinxhirit të përmendur të modës nuk ka mundur ta konfirmojë.

Vjedhësja duhet të përgjigjet për vjedhje para prokurorisë së përgjithshme.