Cili zyrtar merr pagë më të lartë se kryeministri i Kosovës?

39

Legjislacioni i aplikueshëm në vend ende nuk e ka ndërtuar një model unik të financimit për institucionet e pavarura në Kosovë. Kjo ka bërë që të ketë dallime enorme të të ardhurave nëpër agjenci të ndryshme, pavarësisht statusit të njëjtë ligjor.

Shumica prej tyre financohen nga buxheti i Kosovës, i cili miratohet çdo vit nga Kuvendi. Në agjencitë dhe institucionet që udhëhiqen nga bordet e votuara kryesisht nga Kuvendi i Kosovës, pagat dhe mëditjet që marrin kryesuesit dhe anëtarët e këtyre bordeve tejkalojnë me paga edhe vetë përfaqësuesit më të lartë të shtetit. Në bazë të deklarimit të pasurisë në Agjencionin Kundër Korrupsion, paga mujore e anëtarit të bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), Besim Sejfijaj, është 1 mijë e 800 euro. Ndërsa paga e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, është 1 mijë e 300 euro.

Ndonëse në të gjitha legjislaturat, ishte paraparë si prioritet i Qeverisë hartimi i projektligjit për pagat, i cili do të bënte nivelizimin e tyre, në Kuvendin e Kosovës nuk arriti të procedohet as edhe njëherë.

Shqetësuese mbetet kjo dukuri për anëtarët e Komisionit parlamentar për Buxhet dhe Financa. Kryetari i këtij komisioni, Naser Osmani, tha se vazhdimisht janë ballafaquar me përcaktimin e pagave pasi ka mungesë të ligjit të posaçëm që do të rregullonte të ardhurat e funksionarëve të lartë.

“…Kjo mbetet barrë e Komisionit, e që nuk do të duhej të ishte. Prandaj ka edhe laramani të ndryshme në mes të pagave së këtyre zyrtarëve. Disa institucioneve edhe përkundë tentimit tonë që t’i kemi nën kontroll, sidomos çështjen e shpenzimeve rrjedhëse të pagave dhe mëditjeve, na ka dal prej dore. Kështu ato tash kanë krijuar një autoritet të tyre që e caktojnë buxhetin dhe pagën. Kjo ndodh në ZRRE, kjo ndodh me Gjykatën Kushtetuese, si dhe me disa institucione të tjera. Dhe kjo ndodh për shkak të mos nivelizimit të kësaj, apo mos krijimit të një hierarkie, që paga të jetë në bazë të përgjegjësisë dhe institucionit, atëherë gjithmonë ka kërkesa për rritje të pagave dhe kjo gjë gati është bërë e pa durueshme. Jemi në pritje që Qeveria të procedoj ligjin për pagat e zyrtarëve të lartë”, tha Osmani.

Kritike ndaj kësaj çështje është edhe Safete Hadërgjonaj, anëtare e Komisionit për Buxhet dhe Financa. Sipas saj, mungesa e ligjit ka bërë që caktimi i pagave të anëtarëve të bordeve të agjencive të funksionoj me rregullore të trashëguara që nga koha e UNMIK-ut.

“Paga e bordeve është një shqetësim që po përcillet nga viti në vit dhe nuk po bëhet zgjidhje. Kjo në mungesë të ligjit për pagat e funksionarëve të lartë publik. Ligji në mandatet e kaluara ka ardhur njëherë në Kuvend dhe është tërhequr nga Qeveria dhe asnjë herë tjetër nuk i është kthyer Kuvendit. Pagat e bordeve duhet të dallohen sepse ka borde që janë ekzekutive janë këshillëdhënëse dhe borde mbikëqyrëse, dhe të gjitha nuk paguhen në mënyrë të njëjtë. Mirëpo këto janë paga që janë trashëguar qysh në kohën kur ka qenë UNMIK-u. Disa janë me paga më të larta, disa të tjerë kanë paga më të ulëta. Pra nuk ka nivelizim të pagave në mes të bordeve të cilat janë ekzekutive por nuk ka rregull në përcaktimin e pagave as në bordet këshillëdhënëse dhe as në bordet të cilat e luajnë rolin mbikëqyrës”, tha Hadërgjonaj.

Ajo ka shtuar se Qeveria në strategjinë e saj, në të gjitha mandatet, e ka paraparë hartimin e ligjit dhe për këtë arsye thotë se Kuvendi nuk ka mundësi të inicimit të këtij ligji.

Image

Si në mandatet e kaluara ashtu edhe në këtë mandat, Qeveria ka të paraparë në programin legjislativ të vitit 2016 hartimin e Projektligji për pagat, që realizohen nga buxheti i Republikës së Kosovës. Sipas parashikimeve të Qeverisë, ky projektligj do të hartohet në fund të muajit nëntor të këtij viti. Ministria e Administratës Publike (MAP) është hartuese e këtij projektligji.

Edhe përkundër që KosovaPress ka tentuar që të marrë përgjigje rreth fazës se ku ndodhet ky projektligj, MAP-i nuk ka kthyer përgjigje zyrtare.

Përndryshe, sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë 32 institucione të pavarura dhe 36 ndërmarrje publike. Të gjitha këto institucione kanë borde të cilët paguhen nga taksapaguesit kosovarë, për çka edhe këta të fundit nuk kanë asnjë informatë se pse qeverisjet e deritashme nuk kanë arritur të bëjnë nivelizimin e pagave për shumë nga anëtarët e bordeve, të cilët për dallim nga standardi ekonomik në vend paguhen shumëfish më shumë.