Pse vetëm në Kosovë festohet për “Ditën e Evropës”?

34

Çerdhet, shkollat, komunat e ministritë e gëzojnë këtë privilegj dhe i mbyllin dyert e institucioneve për çfarëdo shërbimi.

Disa prej qytetarëve të anketuar thonë se nuk ka pse të mos punohet, pasi festa duhet të bëhet ndryshe, e jo duke e ndërprerë punën.

Ndryshe nga vendësit, shërbimet diplomatike dhe organizatat ndërkombëtare punojnë.

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Skënder Syla, thotë se 9 Maji nuk figuron si ditë feste në kalendarin e tyre të punës. Besa Luzha, aktiviste e shoqërisë civile, ka thënë se kjo datë duhet të largohet nga kalendari i festave.

Në anën tjetër, ka edhe qytetarë që e shohin të arsyeshëm pushimin gjatë kësaj dite.

Sipas tyre, kur pushojnë institucionet shtetërore, japin një mesazh që po festohet bashkë me Evropën.

Por shtetet të cilat janë themeluese të Bashkimit Evropian nuk pushojnë sot. Më 9 maj të vitit 1950, ishte hedhur hapi i parë drejt krijimit të asaj që sot njihet si Bashkimi Evropian.

Në Samitin e Milanos në vitin 1985, krerët e BE-së kishin vendosur që kjo ditë të festohej si “Dita e Evropës”.