KE: Dialog mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë pas formimit të qeverisë serbe

19

Në Bruksel është duke u punuar për të filluar një raund të ri i bisedimeve në nivel të lartë politik mes Kosovës dhe Serbisë, por kjo do të ndodhë vetëm pas formimit të qeverisë së re në Beograd.

“Përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, ka kontaktuar të dyja palët për t’i kumtuar vendimin dhe ka apeluar që të respektohen marrëveshjet ashtu siç është rënë dakord”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

Komisioni Evropian tha se prioritet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është zbatimi i marrëveshjeve që janë arritur në takimet e fundit mes kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq, transmeton Indeksonline.

Mësohet nga qarqet diplomatike të Evropës, se BE-ja vazhdon të këmbëngulë në zbatimin e plotë të marrëveshjeve që edhe dialogu të ecën përpara.

Pra, deri në emërtimin e një kryeministri të ri të Serbisë, nuk do të ketë dialog mes vendeve.

Ndërkohë, bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit, në nivel teknik, do të vazhdojë në Bruksel. /In/