Qumili shoqërohet në polici, rrahu motrën

275

Sevdai Radogoshi është shoqëruar të enjten pasdite në Policinë e Gjakovës nën dyshimin për veprën penale lëndim i lehtë trupor, të kryer ndaj motrës së tij.

Humoristi Sevdai Radogoshi, i njohur si Qumili, është shoqëruar për disa orë në Policinë e Gjakovës pas ankesave të motrës së tij për sjellje jo të mirë.
Siç mëson KALLXO.com, ngjarja ka ndodhur pasditen e së enjtes ndërsa sipas versionit zyrtar të Policisë, shoqërimi i Qumilit në polici është kryer nën dyshimin për veprën penale lëndim i lehtë trupor.

“Të enjten, më 12 maj, rreth orës 11:00 dhe 15:30, një qytetare femër, qytetare e Gjakovës, ka raportuar së është sulmuar fillimisht nga një vëlla dhe pastaj nga një vëlla tjetër. Policia menjëherë ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe i ka kryer të gjitha procedurat ligjore. Ky rast është klasifikuar si lëndim i lehtë trupor dhe është njoftuar edhe prokuroria për to, ndërsa të dyshuarit kalojnë në procedurë të rregullt”, ka thënë komandanti i Policisë së Gjakovës, Krist Gjokaj.

E kontaktuar nga KALLXO.com, motra e Qumilit, Floranda Radogoshi, ka konfirmuar se i ka denoncuar vëllezërit në polici për sjelle jo të mirë ndaj saj.

“Vëllai i madh ka ardhë në mëngjes dhe jemi fjalosë për shtëpinë ndërsa pasdite ka ardhë Sevdaiu edhe me të kam pasur një konfrontim”, ka thënë Floranda për KALLXO.com. Ajo ka shtuar se nga konfrontimi me Sevdaiun e ka të lënduar hundën.

I kontaktuar nga KALLXO.com, Sevdai Radogoshi nuk e ka mohuar shoqërimin në Polici por ka mohuar të ketë ushtruar dhunë apo ndonjë formë tjetër presioni ndaj motrës.

“Vëllai ka shkuar në mëngjes  ta vizitojë nënën, mirëpo ka ndodhur një konflikt me motrën për shkak të gjendjes jo të mirë psikike te saj. Kur dëgjova për rastin dhe që kishte intervenuar edhe Policia, shkova pas dite ta marr nënën dhe motra reagoi sërish keq duke ma thirrë edhe mua Policinë“, thotë Radogoshi.

Ai thotë se fjalët e motrës së tij nuk duhet të merren seriozisht për shkak të gjendjes së saj psikike.

“Askush s’e ka goditur dhe askush nuk dëshironte ta largojë nga shtëpia. Përkundrazi, ne e kemi mbajtur në atë shtëpi”, thotë Radogoshi.

Përndryshe, sipas zyrtarëve policorë pas deklaratave në Polici me konfliktin në familjen Radodgoshi është duke u marrë Prokuroria e Gjakovës.