Kryetari Veliu priti drejtorin rajonal të OSBE-së

31

Kryetari i Komunës së Podujevës, z.Agim Veliu, ka pritur sot në një takim drejtorin rajonal të OSBE-së, z.Paolo Raffone, me të cilin bisedoi për bashkëpunimin në mes dy institucioneve.

Gjatë takimit të sotëm, kryetari i Komunës së Podujevës, z.Agim Veliu dhe drejtori i Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, z.Paolo Raffone, e vlerësuan të suksesshëm bashkëpunimin e deritashëm dhe u zotuan për thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Kryetari Veliu vlerësoi kontributin dhe përkrahjen e OSBE-së në realizimin e projekteve të ndryshme me interes për administratën komunale dhe për qytetarët e Komunës së Podujevës.

“Vlerësoj bashkëpunimin e deritashëm me OSBE-në në projekte të ndryshme, veçmas në përkrahjen për organizimin e debateve në teren, por edhe në projekte të tjera në hartimin e strategjive të ndryshme”, tha kryetari Veliu.

Drejtori rajonal i OSBE-së, z.Paolo Raffone, tha se Komuna e Podujevës mund të shërbejë ai shembull edhe për komunat e tjera për bashkëpunim korrekt me OSBE-në, transparencë dhe funksionim efikas të administratës.

Gjatë takimit, Raffone potencoi edhe idenë e krijimit të rrjetit të tetë komunave në kuadër të Qendrës Rajonale të OSBE-së në Mitrovicë, ku bën pjesë edhe Komuna e Podujevës.

“Ky rrjet i tetë komunave do të ishte një mundësi e mirë për bashkëpunim ndërkomunal dhe shkëmbim të përvojave në qeverisje”, tha drejtori Raffone, duke potencuar se ky bashkëpunim do të realizohej në fusha të ndryshme.

Kryetari Veliu ka përkrahur një iniciativë të tillë duke thënë se ky bashkëpunim do të realizohej në kuadër të kornizës ligjore me interes për përmirësimin e jetës së qytetarëve.

Gjatë takimit u bisedua edhe fushat e tjera të bashkëpunimit në mes Komunës së Podujevës dhe OSBE-së