“Shpresim Uka fajëson Ferat Shalën për vrasjen e familjes Hajra”

66

Vrasësit e Familjes Hajra i di Shpresim Uka, i dënuar me 15 vjet burgim në rastin “Bllaca”, dhe emrat e tyre ai i ka përmendur në një incizim, që tani ndodhet në duart e EULEX’it.

Kështu ka thënë Faton Ramadani, vëllai i të burgosurve në rastin “Kiçina”, Burim dhe Arsim Ramadani, në një shkrim të tij në Facebook.

Ramadani ka shkruar se Uka e përfshin direkt Ferat Shalën, ish-zyrtar të ish-Shërbimit të Inteligjencës të Kosovës (SHIK), në vrasjen e familjes Hajra në vitin 2001, raporton Gazeta Express.

Ai i ka bërë thirrje Shalës që të bëjë publik një raport që e kishte hartuar SHIK’u për rastin Hajra, duke thënë se ai do të ndihmonte në zbulimin e së vërtetës.

Ramadani ka thënë se vrasja e familjes Hajra u bë pikërisht për t’u fshehur vrasja e Dr. Hafir Shalës dhe, siç ka thënë ai, shumë tradhti ndaj njerëzve që kontribuuan për liri.

Sipas Ramadanit, Hamëz Hajra u vra pasi nisi të bashkëpunojë me Tribunalin e Hages, për t’i nxjerrë rastet ende të pazbuluara. Ai ka thënë se këtë informacion e dinin vetëm shërbimet sekrete.

Ramadani ka shkruar se ka ruajtur incizime për t’i dërguar në Gjykatën Speciale, por se EULEX e ka bastisur dhe ia ka marrë të gjitha.

Ai ka thënë se incizimet janë duke u hetuar dhe se së shpejti pritet një përgjigje, ku, sipas tij, emri i Shalës përfshihet nga Shpresim Uka për dy vrasje. /Express/