SHQIPËRIA NË EURO 2016, TË PREFERUARIT MBETEN NË LISTË

38

Po zhduken nga dita në ditë enigmat e përfaqësimit të Shqipërisë në Europianin 2016.

Po zhduken nga dita në ditë enigmat e përfaqësimit të Shqipërisë në Europianin 2016, me trajnerin Gianni de Biasi që ka ravijëzuar listën provizore të turneut të kësaj vere, të cilën do ta zyrtarizojë këtë të hënë.

Por në pritje të formalizimit, duket se edhe dëshirat kryesore dhe preferencat e tifozëve shqiptarë, përkojnë me zgjedhjet eventuale të teknikut të kuqezinjve.

Në sondazhin që vazhdon prej ditësh në faqen e Top Channel, Etrit Berisha, Lorik Cana, Sokol Cikalleshi apo Shkëlzen Gashi janë më të votuarit për listën e Europianit 2016 që nis muajin tjetër.

Këta lojtarë së bashku me Sadikun, Xhakën apo Abrashin, janë mes më të pëlqyerve nga mbështetësit shqiptarë. Bie në sy votimi i lartë i Alban Mehës, mesfushorit të Koniaspor që me të gjitha gjasat do të jetë jashtë Europianit, duke parë zhvillimet e fundit.

Në forume të ndryshme ndërkohë qarkullon një shkresë e FSHF-së e cila zyrtarizon “de facto” lojtarët e seleksionit për turneun transalpin, duke i kujtuar klubeve respektive që të mos i publikojnë detajet para 23 majit.

Shqipëria do të luajë premierën historike në një Europian më 11 qershor ndaj Zvicrës në Lens në orën 15:00. Më pas, kuqezinjtë do të impenjohen ndaj Francës në stadiumin “Velodrom” të Marsejës, e më pas ndaj Rumanisë në Lion më 19 qershor.