Mustafa: Jemi në prag të liberalizmit të vizave, do themelojmë edhe Ushtrinë

19

Isa Mustafa po vazhdon të përdorë në çdo status në FB pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA. Ka përmendur edhe faktin se qytetarët e Kosovës janë në prag të vendimit të BE’së që të lëvizin pa viza në zonën Shengen.

Udhëheqësi i Qeverisë ka thënë se qytetarët e Kosovës po kalojnë momente historike në të gjitha fushat.

“Jemi në momente historike, të cilat na bashkojnë dhe na qojnë në rrugën e ardhmërisë. Edhe në rrugën e themelimit të Forcave të Armatosura, sikurse edhe të asaj të zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe social dhe të integrimit euroatlantik”, ka shkruar Mustafa.

Postimi i plotë i Isa Mustafës”

Qytetarë të nderuar,

Kosova gjendet para shanseve të mëdha!

Filluam implementimin e marrëveshjes së parë kontraktuale me Bashkimin Evropian; jemi në prag të liberalizimit të vizave -lëvizjes së lirë të qytetarëve tanë; po fillojmë të konkretizojmë projektin tepër të rëndësishëm me Qeverinë e SHBA-ve, “Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit”.

Sporti ynë, i një shteti të ri, jo vetëm për nga vitet e shpalljes dhe themelimit, por edhe të mbizotërimit të popullatës së re, përfundimisht u bë sport evropian dhe botëror. Futbolli kosovar, si sport më masiv, këtë muaj u anëtarësua në UEFA dhe FIFA. Për Kosovë në FIFA votuan 141 vende!

Kosova ka arritur pjekurinë e saj politike, ka njerëz të dijes, të rinj e të vjetër, ka bërë përvojë institucionale e demokratike, ka krijuar relacione dhe kontakte ditore me përfaqësues ndërkombëtar dhe me institucione ndërkombëtare, këtu, në Evropë dhe SHBA. Është vetë pjesë e rrjedhave evropiane dhe botërore.

Kanë ndodhur ndryshime të mëdha. Tani Kosova ka nevojë për njerëz të cilët marrin përgjegjësinë për të quar përpara proceset në Kosovë e jo për të treguar se kush është i mirë e kush i keq.

Qytetarët tanë janë njerëz të mirë e punëtorë, secili në mënyrë e vet. Ata që i shkelin rregullt dhe ligjin i cilëson drejtësia. Ndërkaq, diversiteti i mendimeve, ai politik dhe kulturor janë vlera të cilat i kanë ngritur kombet më të përparuara. Edhe ne do ta ndjekim këtë rrugë.

Historikisht jemi shquar me trimëri dhe veçim individual; tani kemi shanse që me veprime të përbashkëta, afatgjata dhe të qëndrueshme ti vihemi në shërbim vendit

.

Jemi në momente historike, të cilat na bashkojnë dhe na qojnë në rrugën e ardhmërisë. Edhe në rrugën e themelimit të Forcave të Armatosura, sikurse edhe të asaj të zhvillimit më të shpejtë ekonomik dhe social dhe të integrimit euroatlantik.

Unë jam I bindur se si shumicë qytetare dhe demokratike jemi së bashku në këto procese. IM