Deputetët e pozitës dhe opozitës akuzojnë njëri-tjetrin për punën e Kuvendit

17

Deputetët e partive në pushtet dhe atyre opozitare thonë se në Kuvendin e Kosovës janë paraqitur vështirësi në përmbushjen e agjendës legjislative.

Selvije Halimi, zëvendëskryetare e parë e Komisionit për Legjislacion nga Partia Demokratike e Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se mungesa e opozitës në Kuvendin e Kosovës ka penguar në njëfarë mënyre përshpejtimin e procedurave legjislative.

“Mendoj se jemi duke shkuar me plan, por mungesa e opozitës në Kuvend domosdoshmërisht ndikon në përshpejtimin e procedurave të legjislacionit, sepse ne si pozitë tashmë jemi të ngarkuar dyfish më shumë dhe duhet të punojmë edhe për ata sa i përket bërjes së ligjeve. Po ashtu, vizitat që i kemi jashtë vendit po duhet të koordinohen me qëllim që të kemi kuorum në aprovimin e ligjeve”, thekson Halimi.

Ndërkohë, deputetë të partive politike opozitare thonë se Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur as për së afërmi ta përmbushë agjendën legjislative.

Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, thotë për Radion Evropa e Lirë se Kuvendi i Kosovës tani e sa kohë është në një situatë të jashtëzakonshme.

Haxhiu shton se agjenda legjislative nuk është duke u përmbushur, jo vetëm nga bojkotimi i punimeve të Kuvendit të Kosovës nga subjektet politike opozitare, por edhe nga mungesa e deputetëve të partive në pushtet.

“Edhe përkundër faktit që opozita pati bojkotuar në fillim të këtij vitit punimet e seancave plenare për shkak të marrëveshjeve të dëmshme që Qeveria ka bërë me Serbinë dhe atë me Malin e Zi, koalicioni qeverisës në Kuvend, që përbëhet prej më shumë se 80 deputetëve, ka pasurngecje të shumta sa i përket përmbushjes së kuorumeve në Kuvendin e Kosovës”, ka theksuar Haxhiu.

Ndryshe, viti 2015 për Kuvendin e Kosovës ka qenë vit i karakterizuar me polarizime të skajshme ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë, që rezultuan me krizën më të madhe politike në vend.

Kundërshtimi i marrëveshjes për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi, kanë qenë pikat kulmore të këtyre përplasjeve.Sipas të dhënave nga Instituti Demokratik i Kosovës, Kuvendi i Kosovës gjatë vitit 2015 ka miratuar 47 projektligje nga gjithsej 138 të parapara.

ekspress