Në shtëpinë e Ukë Rugovës u gjetën armë

45

Prokuroria Speciale ka ngritur dyshime se në rezidencën ku banonte Ukë Rugova, djali i ish Presidentit Ibrahim Rugova, u gjetën dy revole gjatë kontrollit që u bë më 5 dhe 6 shkurt 2014 në rezidencën familjare në lagjen “Velania” të Prishtinës.

KALLXO.com ka siguruar pjesë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale ndaj Rugovës në të cilën përshkruhen akuzat për kontrabande me emigrantë dhe krim të organizuar.

Aktakuza ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve të dyshuar për skandalin me vizat italiane është ngritur më 18 maj të këtij viti pas gati dy viteve hetime nga ana e prokurorisë.

Pjesë e kësaj aktakuze është edhe akuza për armëmbajtje pa leje.

“Më 5 dhe 6 shkurt në rezidencën e Ukë Rugovës janë gjetur armët pistoletë SigSauer me dy karikatorë dhe revole Zastava m83 dhe 432 fishekë”, thuhet në aktakuzë.

Ukë Rugova, djali i sh Presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, ishte ndaluar nga Policia e Kosovës në muajin shkurt të vitit 2014 pas shpërthimit të aferës lidhur me vizat italiane në Kosovë.

Rugova dyshohet për veprat penale krim i organizuar lidhur me veprat ushtrim ndikimi.

Së bashku me Rugovën në cilësinë e të dyshuarve në këtë grup janë edhe Izet Beqiri, Florian Petani, Fitim Beqiri, Visar Beqiri, Asad Beqiraj, Edison Idrizaj, Hamza Beqiri, Qefser Baholli dhe Driton Voca.