ASK: Konsumuam më pak energji elektrike

81

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar bilancin e energjisë për tre mujorin e parë të këtij viti, ku thuhet se Kosova ka importuar 171.4 GWh energji elektrike, derisa ka eksportuar 154.3 GWh energji elektrike.

ASK nëpërmjet një komunikate sqaron se në këtë publikim janë prezantuar të dhënat mbi prodhimin e thëngjillit, për prodhimin dhe konsumin e energjisë, importin dhe eksportin e energjisë, si dhe importin dhe eksportin e energjive të tjerë.

“Gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, vlera e gjithmbarëshme e prodhimit të thëngjillit është 2,092.9 mijë tonë. Kurse, sasia bruto e energjisë elektrike, e prodhuar në termocentrale është 1,615.1 GWh dhe në hidrocentrale është 45.5 GWh. Sa i përket vlerave të energjisë së importuar, respektivisht të eksportuar, gjatë tremujorit të parë të vitit 2016, Kosova ka importuar 171.4 GWh energji elektrike, derisa ka eksportuar 154.3 GWh energji elektrike”, thuhet në komunikatë.

Sipas ASK-së, në tremujorin e parë të vitit 2016, sasia e energjisë elektrike në dispozicion të konsumatorëve është 1,018.8 GWh energji elektrike. Në raport me tremujorin e njëjtë të vitit të kaluar, sasia e energjisë elektrike e konsumuar është ulur për 1.8 %. /Telegrafi/