Mustafa: Ligji për Paga të dërgohet në Kuvend para pushimeve

45

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës ka kërkuar që Ligji për Paga të dërgohet në Kuvend para se të përfundoj sesioni pranveror.

Ai ka theksuar se Kosova ka ngecur shumë me Ligjin për pagë, andaj sipas tij, nëse procedohet më shpejtë, vendi nuk do të ketë kosto shpenzime prej 5 milionë euro për nëpunësit civil, raporton Indeksonline.

“Unë konsideroj se duhet të përmbyllet ky proces pagat. E di se është punuar mjaft shumë, janë harmonizuar punët mes ministrive përkatësve, mirëpo ka vërejtje se nuk është saktësuar kostoja, ndonëse parimi është që shërbyesve civil mos ti ulet paga askujt”, ka thënë Mustafa.

Megjithatë, sipas tij, Ligji për pagat megjithatë nuk mund të perfeksionohet, sepse është një gjendje devijante sa i përket pagave në Kosovë.

“Është mirë që para pushimeve ta procedojmë këtë në Kuvend i Kosovës”, ka theksuar kryeministri Mustafa.

Ai po ashtu foli edhe për takimin që kishte dje me përfaqësuesit e “Feronikelit”, me të cilët ka biseduar për tejkalimin e gjendjes së kësaj firme private.

“Ne si Qeveri nuk duhet të merremi me këtë firmë sepse është private, por megjithatë ajo numëron mbi 1 mijë punëtorë. Punëtorët kanë kërkuar nga AKP-ja të bëj zhvendosjen e rrugës në mënyrë që të mund të gërmojnë për xehet, ashtu siç u takon. Po ashtu, ata kanë kërkuar edhe të bëhet zhvendosja e binarëve që dërgon në Golesh që të mund t’i nxjerrin xehet në atë pjesë”, ka thënë Mustafa.

Sipas Mustafës, punëtorët kanë kërkuar edhe ndërrimin e tarifave të energjisë e cila merr 30% të kostos së tyre të prodhimit.

“Kisha lutur ministritë të cilat kanë pranuar ndonjë kërkesë nga ‘Feronikeli’ që t’i shqyrtojnë ato dhe të japin përgjigje sa më parë, sepse kemi interes nga ajo firmë. Eksportin kryesor Kosova gjithmonë e ka pasur nga ‘Feronikeli’”, ka thënë tutje Mustafa.

Ministri i Administratës Publike Mahir Yagc?lar, tha gjatë mbledhjes se Kosova ka mbi 14 mijë nëpunës civil të klasifikuar deri më tani, të cilët i kanë kushtuar buxhetit të vendit me mbi 5 milionë euro në vit.

Sipas tij, qëllimi kryesor i propozim-vendimit për klasifikimin e nëpunësve civil në Kosovës është standardizimi dhe unifikimi i titujve dhe pozitave të nëpunësve civil.

“KE në raportin e progresin 2014-2015 adresoi edhe çështjen e mospërfundimit të klasifikimit të vendeve të punës. Shtesa prej 30 eurove unë propozoj të përfshihet në rrogën bazë të nëpunësve civil”, ka theksuar Yagcilar.

Qeveria në mbledhjen e sotme miratoi Projektligjin për performancën energjetike në ndërtesa; atë për ndihmë shtetërore; projekt-rregulloren për obligimet materiale, llojet e të mirave materiale, mënyrën e përdorimit dhe kompensimit të tyre; propozim-vendimin për klasifikimin e vendeve të punës për nëpunësit civil; projekt-vendimin për përzgjedhjen e modelit të përzier për financim publik të OJQ-ve etj. /Indeksonline/