Podujevë:U miratua Rishikimi i buxhetit për vitin 2016

66

miratua Rishikimi i buxhetit për vitin 2016

Kuvendi i Komunës së Podujevës në mbledhjen e jashtëzakonshme, të mbajtur sot ka miratuar Rishikimin e buxhetit të Komunës për vitin 2016.

Kuvendi Komunal i Podujevës, ka mbajtur mbledhje të jashtëzakonshme, me të vetmen pikë të rendit të ditës, Rishikimi i buxhetit të Komunës për vitin 2016.

Në mbledhjen e Kuvendit, të cilën e kryesoi Mehmet Gashi – kryesues i Kuvendit, mori pjesë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, nënkryetari Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive të Komunës.

Drejtori i drejtorisë së Buxhetit dhe Financave, Isuf Latifi, tha se Rishkimi i buxhetit bëhet në bazë të Ligjit për menaxhimin e Financave publike.

Drejtori Latifi tha se Rishikimi i buxhetit për vitin 2016 ofron mundësi për transfer të mjeteve ndërmjet programeve, nënprogrameve dhe organizatave buxhetore. Bazuar në instruksionin e Qeverisë, organizatave buxhetore u lejohet të bëjnë rregullime të brendshme, që janë të arsyeshme për të bërë ekzekutimin efikas të buxhetit për periudhën e mbetur të vitit buxhetor.

“Totali i mjeteve që propozohen në këtë rishikim është 957,004 euro, ose 19% e buxhetit për investime kapitale. Në drejtorinë e Drejtoria e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit 547.139 euro, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit 102.420 euro, drejtoria e Arsimit 230.963 euro dhe Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit 76.482 euro”, tha drejtori Latifi.

Rishikimin e buxhetit në drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit dhe Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtjes dhe Shpëtimit e kanë arsyetuar drejtorët Durim Salihu dhe Faik Muçiqi.

Në emër të grupit të këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rrekaliu e ka përkrahur rishikimin e buxhetit. Ndërsa, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica dhe shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, kanë bërë vërejtje për disa projekte të parapara me rishikim. Këshilltarja e PDK-së, Kumrie Hoti, kërkoi që me këtë rishikim të buxhetit të mundësohet edhe përfshirja pa pagesë në institucionet parashkollore të fëmijëve të nënave vetushqyese.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka arsyetuar shumën e mjeteve të parapara që do të shkojnë në rishikim të buxhetit me faktin se pas miratimi të Buxhetit për vitin 2016, Komuna ka nënshkruar disa marrëveshje me ministri të ndryshme të Qeverisë së Kosovës, e ku kanë hyrë disa projekte që do të realizohen dhe që ndikojnë në programin e investimeve.

“Ju ftoj që ta votoni këtë rishikim të buxhetit, i cili kryekëput është në interes të qytetarëve”, tha kryetari Veliu.

Pas diskutimeve, Kuvendi me shumicë votash miratoi Rishikimin e buxhetit për vitin 2016.