Së shpejti, bisedimet rreth Marrëveshjes Zvicër-Kosovë për pensionet!

26

Ministri kosovar për çështje sociale, Arban Abrashi thotë për albinfo.ch se në mes të Kosovës dhe Zvicrës po zbatohet një projekt pilot për funksionimin e Marrëveshjes për Sigurimet Sociale. Afërsisht kështu thonë për albinfo.ch edhe në Zyrën Federale për SIgurimet Sociale në Zvicër!

Problemi me Marrëveshjen për Sigurimet Sociale, në opinionin e Kosovës e njohur më shumë si “Marrëveshja për pensionet” është preokupim për kosovarët e Zvicrës dhe më gjerë që nga dita kur kjo marrëveshje është ndërprerë, më 1 prill 2010. Nga ajo kohë e deri tash janë bërë shumë përpjekje të vazhdueshme nga asociacione të ndryshme (sindikatat zvicerane etj.) dhe individë për sensibilizimin me dëmin që shkakton mungesa e kësaj marrëveshjeje si dhe për nënshkrimin e një marrëveshjeje të re.

Albinfo.ch që nga fillimi ka ndjekur me interes këtë problematikë dhe ka raportuar në vazhdimësi për zhvillimet rreth saj. Përpjekjet e vazhdueshme kanë arritur edhe në institucionet kosovare. Të kujtojmë këtu një rezolutë që Parlamenti i Kosovës pati miratuar vite më parë lidhur me këtë çështje. Veç kësaj janë këmbyer delegacione të shumta të të dy shteteve në funksion të shikimit të mundësive për lidhjen e një marrëveshjeje të re. Deri tash nuk kishte pasur ndonjë sukses në këtë drejtim.

Por, së fundi duket se drita në fund të tunelit ka filluar të shihet! Në një prononcim që ka bërë ekskluzivisht për albinfo.ch ministri për punë dhe çështje Sociale në Qeverinë e Kosovës, Arban Abrashi jep shpresë se punët në këtë drejtim kanë marrë rrugën e zgjidhjes. Ai përmend një “marrëveshje pilot” që ka filluar të zbatohet në fillim të këtij viti, e cila mundëson fillimin e negociatave në mes Kosovës dhe Zvicrës për lidhjen e një marrëveshjeje të re. Po këtë e konfirmon kësaj radhe edhe pala përgjegjëse zvicerane.

Abrashi: “Nga gjysma e dytë e vitit fillojnë bisedimet për Marrëveshje të re!”

Abrashi ka thënë për “albinfo.ch” se arritja e një marrëveshje me Zvicrën ne fushën e pensioneve ka qene një nder prioritetet e tij qysh nga marrja e mandatit ne këtë ministri. “Kemi pasur kontakte të shumta me palën zvicerane, janë zhvilluar disa takime ekspertësh për të shqyrtuar gjendjen aktuale dhe për të hapur rrugën për arritjen e një marrëveshjeje mes dy shteteve”, ka thënë ministri Abrashi. Si rezultat i këtyre takimeve, thotë se kanë arritur që në fillim të vitit 2016 të nënshkruajnë një marrëveshje pilot me palën zvicerane për te testuar funksionimin e dy sistemeve në rast të arritjes së marrëveshje.

“Ne jemi dakorduar që kjo fazë të përfundojë në gusht të vitit 2016, me ç`rast rezultatet e kësaj marrëveshjeje pilot do të ndihmonin në vlerësimin e ri nga pala zvicerane për arritjen e një marrëveshjeje të plotë mes dy shteteve”, ka thënë ministri i punës i Kosovës, Arban Abrashi. Nga takimet e deritashme, thotë se janë shkëmbyer shumë të dhëna mes palëve. Ministri Abrashi tha se beson që në pjesën e dytë të vitit 2016 do të fillojnë bisedimet zyrtare mes palës zvicerane dhe kosovare për arritjen e një marrëveshjeje bilaterale në fushën e pensioneve.

Sohns (BSV): “Nga rezultati i testimit, varet nëse do të fillojmë bisedimet”

Ngjashëm ndonëse me ton më të matur, shprehen edhe në Zyrën Federale të Zvicrës për Sigurime Sociale (BSV).

I pyetur nga albinfo.ch, shefi për komunikim në këtë zyrë, Harald Sohns ka konfirmuar fillimin e projektit pilot në këtë drejtim në mes të Zvicrës dhe Kosovës.

“Organet kompetente të Zvicrës dhe ato të Kosovës aktualisht, në kuadri e një pilot projekti që zgjat deri në mes të muajit gusht të këtij viti po e testojnë një bashkëpunim ndërshtetëror (në këtë fushë) duke u mbështetur në rastet konkrete. Rezultatet e këtij testimi do të duhej na e mundësonin një vlerësim të ri për marrëdhëniet në mes të Zvicrës dhe Kosovës në gjysmën e dytë të vitit 2016, ka theksuar Sohns për albinfo.ch. Por, “nëse Zvicra do t`i fillojë dhe kur do t`i fillojë bisedimet për një Marrëveshje të re për sigurimet shoqërore, do të varet nga rezultatet e projektit pilot dhe tash për tash mbetet e hapur”, ka përfunduar shefi për komunikim në BSV.