UEFA, të hënën, njofton skuadrat kosovare nëse do t’u japë licencën

49

Konfederata Evropiane e Futbollit (UEFA) do t’i njoftojë të hënën klubet e Kosovës nëse do t’u japë licencë apo jo për të garuar në fazën e parë të eliminatoreve të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.

Në fazën e parë eliminatore do të garojë Ferronikeli si fitues i titullit, kurse për Ligën e Evropës do të luajë fituesi i Kupës, ku në finale janë Prishtina dhe Drita, përcjell Koha Ditore. Drejtori i klubit Ferronikeli, Artan Berisha, ka thënë se kanë dorëzuar gjithë dokumentacionin e kërkuar.

“Ne e kemi dorëzuar gjithë dokumentacionin, se a janë në rregull apo jo nuk e dimë. Por, ajo që na është kërkuar e kemi dorëzuar. Të enjten ishte edhe një person tjetër nga UEFA që mori me vete raportin financiar të ekipit tonë. Një ekip tjetër që merret me infrastrukturë do të vijë pas disa ditësh. Por ne këtë kriter e kemi përmbushur, meqë kemi dorëzuar dokumentacionin se kemi leje që të luajmë në ‘Elbasan Arena’ nëse nuk mund të luajmë në ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë. Të hënën është thënë se do të merret vendimi për ne”, ka thënë Berisha.