I vjen fundi pritjes së biznesmenit gjerman që s’gjente punëtorë të kualifikuar në Kosovë

105

Biznesmeni gjerman, Klaus Jurgen Lotz ka një kohë që po kërkon punëtorë të kualifikuar për t’i punësuar në fabrikën e tij në Podujevë.

Ai thotë se për kosovarët më me rëndësi është arsimimi profesional, sesa liberalizimi i vizave.

“Mendoj që mënyra më e mirë është që të mos shikoni vetëm për vizat. Kur fillova me kompaninë time në Kosovë, partnerët e mi më thanë se a je i çmendur që po shkon në Kosovë të investosh”, tha Lotz.

Këto komente afaristi gjerman i bëri pas marrëveshjes së arritur me Ministrinë e Punës për trajnimin profesional të rreth 800 grave që janë duke marrë asistencë sociale.

Ambasadorja gjermane, Angelika Viets ka thënë se Gjermania është e përkushtuar të ndihmojë Kosovën në nxitje të investimeve dhe rritje ekonomike, por ka kërkuar nga të gjithë kosovarët që të punojnë në ndreqjen e imazhit të vendit.

Ministri i Punës, Arban Abrashi ka deklaruar se ka një numër të madh të kërkesave për punëtorë të kualifikuar, përcjell koha.net. Abrashi ka bërë të ditur se shumë shpejt do të hapet edhe një fabrikë për prodhimin e paneleve solare dhe ku do të ketë edhe të punësuar.