Konfiskohen armë dhe municion në Podujevë, arrestohet një person

119

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka ndaluar për 48 orë një person nga Podujeva pasi gjatë një bastisje në pronën e tij gjeti dhe konfiskoi një sasi të konsiderueshme të armëve dhe municion.

Sipas policisë, pas bastisjes, në stacionin policor të Podujevës është iniciuar rast për mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i pa autorizuar i armës, i cili është duke u trajtuar nga ana e hetuesve, sipas autorizimeve  policore gjegjësisht, rekomandimeve nga Prokuroria përkatëse.

Ky është njoftim i plotë i Policisë:

Drejtoria Rajonale e Policisë – Prishtinë, vazhdimisht po punon për të siguruar rendin dhe qetësinë publike në rajonin e Prishtinës.

Pas një analize të hollësishme të situatës kriminale në rajon, duke u mbështetur në shqetësimet e fundit në lidhje me rastet e armëmbajtjes pa leje, strukturat operative rajonale bashkërisht me ato të hetuesisë kanë  identifikuar format, metodat dhe mënyrat e zhvillimit të  këtyre aktiviteteve kriminale dhe kanë marrë masat e duhura operative e hetimore për parandalimin,  zbulimin dhe goditjen e të gjitha formave të këtyre veprave.  Një kontribut të veçantë në këto operacione kanë dhënë edhe qytetarët të cilët kanë bashkëpunuar ngushtë me njësitet policore.

Operacioni i fundit i  bastisjes është zhvilluar me datën 29.05.2016, nga njësitet policore të stacionit të Podujevës në rrugën “Llapi” në Podujevë,  ku policia ka gjetur dhe konfiskuar: një pushkë të gjuetisë; një pistoletë e tipit Ekol; një pistoletë e tipit TT; një granatë dore; tre karikatorë si dhe 115 fishekë të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm.

Ndërkohë që po ju njoftojmë se raste të tilla, mbajtje në pronësi, kontroll, posedim i pa autorizuar i armës, në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prishtinë, në katër muajt e parë të vitit 2016,  janë iniciuar gjithsejtë 144 , me ç’ rast janë konfiskuar 111 armë si dhe 1741 municion të llojeve dhe kalibrave të ndryshëm