Nesër policia dëbon Bedri Selmanin nga Hotel Victory

153

Policia e Kosovës do të lirojë nesër (e premte) Hotel Victory në Prishtinë, pasi që Agjencia Kosovare e Privatizimit ka dështuar që ta bëjë një gjë të tillë të mërkurën

Prokuroria e Shtetit ka penguar gjatë ditës së djeshme lirimin e Hotel Victory, që menaxhohet tani e disa vite nga Bedri Selmani, që është njëri nga financuesit dhe njeri i afërt me Partinë Demokratike të Kosovës, kanë treguar burime të Gazetës Express.

Sipas këtyre burimeve, në momentin kur njerëz të AKP’së kanë shkuar në hotel dhe kanë filluar lirimin e tij, disa ekipe të Prokurorisë kanë kërkuar që të ndërpitet puna.

Ndërkohë, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit ka reaguar ndaj artikullit “AKP tentoi ta lirojë Hotelin Victory, por u pengua nga Prokuroria e Shtetit”, duke thënë se pohimet në të nuk janë të vërteta.

“E vërteta lidhur me këtë çështje është se në kuadër të rasteve të uzurpimeve të pronave të shitura nga AKP-ja nuk është edhe Hotel Victory, andaj Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk ka ndërmarr kurfar aksioni për lirimin e këtij hoteli dhe as nuk ka bërë ndalimin e organit kompetent, në këtë rast AKP-së për lirimin e tij”, thuhet në reagim.

“Gjithashtu, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit informon se kjo pronë nuk është shitur ende dhe është në kompetencë të AKP-së. Për të gjitha aksionet për lirimin e kësaj prone apo pronave tjera që e kanë statusin jo të shitura, kompetenete është vetëm AKP-ja, e cila mund të këroj asistencë edhe nga organet e zbatimit të ligjit. Ndërkaq, për rastet që janë shitur dhe janë të uzurpuara Ju informojmë se hetimet janë duke vazhduar dhe Prokurori i Shtetit ka bashkëpunim të mirë me AKP-në”, përfundon reagimi.

 

gazetaekspres