Mbledhja e Qeverisë Mustafa-Rama, nënshkruhen një sërë marrëveshjesh

118

Nesër do të mbahet mbledhja e tretë me radhë në mes të dy qeverive shqiptare Kosovë-Shqipëri, pas asaj të 11 janarit 2014 dhe 23 marsit 2015.

Për mbledhjen e cila është paraparë të mbahet në ambientet e Bibliotekës Kombëtare e që do të mbledh prapë ministrat shqiptarë, është publikuar edhe agjenda zyrtare dhe rendin e ditës të mbledhjes së dy qeverive.

Faton Abdullahu, këshilltar politik i kryeministrit të vendit ka thënë për Indeksonline se mbledhja e nesërme e cila ka marr karakter tradicional, tashmë është edhe festë.

“Formati i këtij takimi tashmë po merr karakter tradicional dhe ky është dimension i ri në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë. Takimi në shumë aspekte është i jashtëzakonshëm. E mira është gjithsesi se ai gjithmonë kur është i këtij formati ka edhe karakter festiv. Kjo mbledhje është gjithsesi edhe festë. Por kryesorja është se ajo ka karakter pune. Të gjitha përgatitjet janë bërë”, ka thënë Abdullahu.

Sipas tij, në këtë mbledhje, përveç tjerash është parapa të nënshkruhen edhe një varg marrëveshjesh në fushën e ekonomisë, administratës publike, mjedisit, energjetikës dhe bashkëpunimit kufitar.

Abdullahu ka theksuar se disa nga këto marrëveshje janë në mënyra të ndryshme edhe plotësim i marrëveshjeve të arritura më herët të cilat po shtyhen tutje.

“Përveç tjerash thënë përmbledhtazi angazhimet e dy Qeverive do të orientohen në përpjekjet për ti dhënë përgjigje adekuate nevojave të kohës ku theks i veçantë do t’i kushtohet rritjes dhe begatimit të marrëdhënieve bilaterale, pastaj  përpjekës për të kontribuar në normalizimin dhe begatimin e raporteve ndërshtetërore në rajon si dhe angazhimi edhe më të madh në drejtim të luftimit më efikas të radikalizmit fetar dhe kërcënimeve terroriste”, ka thënë tutje Abdullahu.

Më poshtë gjeni edhe agjendën e plotë të mbledhjes së nesërme:

Vendi i mbajtjes së mbledhjes:

BIBLIOTEKA KOMBËTARE, PRISHTINË

Agjenda:

10: 00              Mbërritja e Delegacionit Shqiptar në pikën Kufitare Vërmicë (priten nga zëvendëskryeministri Kujtim Shala dhe Protokolli i Shtetit).

11:00               Mbërritja e Delegacionit Shqiptar në Bibliotekën Kombëtare

11:05               Radhitja e kabineteve Qeveritare dhe pritja e Kryeministrave

11:10               Pritja Ceremoniale e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, SH.T.Z. Isa Mustafa për Kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Edi Rama (intonimi i Himneve Kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe Kosovës)

Pas intonimit të Himnit Kombëtar të Shqipërisë dhe të Kosovës, Kryeministrat Mustafa dhe Rama prezantojnë kabinetet.

11:20               Fillimi i mbledhjes së përbashkët të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë

12:20               Nënshkrimi i Marrëveshjeve ndërmjet Ministrive

12:40               Konferenca e përbashkët për media e Kryeministrit të Kosovës,  SH.T.Z. Isa Mustafa dhe Kryeministrit të Shqipërisë SH.T.Z. Edi Rama

(fotografia e përbashkët bëhet jashtë ambienteve të Bibliotekës Kombëtare)

13:00               Dreka ndërmjet Kabineteve (Pjesëmarrës në drekë janë Kryeministri, Ministrat, dhe delegacioni përkrahës prej 7 anëtarëve, ambasadorë, sekretarë dhe këshilltarë).

———————————————————————————————————————————–

Mbledhja e tretë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 3 Qershor 2016, në orën 11:20, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare.

 

Mbledhja e tretë e përbashkët ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë do të mbahet më 3 Qershor 2016, në orën 11:20, në Prishtinë, në Bibliotekën Kombëtare.

RENDI I DITËS

Hapja e mbledhjes: fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Isa Mustafa pasuar nga fjala e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Edi Rama. (secila fjalë do të jetë rreth 8 min).

Kryeministri i RKS, Sh.T.Z. Isa Mustafa i jep fjalën Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Ditmir Bushati, pasuar nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Z. Petrit Selimi (1-2 minuta).

Kryeministri i RSH, Sh. T. Z. Edi Rama i jep fjalën Ministres së Tregtisë dhe Industrisë së RKS, znj. Hykmete Bajrami, dhe, më pas Ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës të RSH, z. Edmond Haxhinasto, për të prezantuar marrëveshjen ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, “Për njohjen e ndërsjellë të certifikatës së testim/kalibrim të tahografit të mjeteve rrugore” (1-2 min secili).

Kryeministri i RKS, Sh. T. Z. Isa Mustafa i jep fjalën Ministrit të Financave të R. SH. z. Arben Ahmetaj, pasuar nga Ministri i Financave i RKS, z. Avdullah Hoti, për të prezantuar Marrëveshjen për bashkëpunim në mes autoriteteve tatimore dhe doganore të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë në fushën e hetimeve administrative, hetimeve tatimore dhe doganore” (1-2 min secili).

Kryeministri i RSH, Sh. T. Z. Edi Rama i jep fjalën Ministrit të Financave të RKS. z. Avdullah Hoti, pasuar nga Ministri i Financave i RSH, z. Arben Ahmetaj, për të prezantuar Marrëveshjen për krijimin e Qendrës së Përbashkët Trajnuese. (1-2 min secili).

Kryeministri i RKS, Sh. T. Z. Isa Mustafa i jep fjalën Ministres së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike, znj. Milena Harito pasuar nga Ministri i Administratës Publike të RKS, z. Mahir Yagcilar për të prezantuar “Marrëveshjen e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Administratës Publike të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Shtetit për Inovacion dhe Administratë Publike të Republikës së Shqipërisë për ngritjen e kapaciteteve në realizimin e reformave në fushën e mirëqeverisjes dhe administrimit publik” (1-2 min secili).

Kryeministri i RSH, Sh. T. Z. Edi Rama i jep fjalën Zëvendësministrit të Administratës së Pushtetit Lokal të RKS, z. Bajram Gecaj, pasuar nga Ministrja e Integrimit Evropian të RSH, znj. Klajda Gjosha, për të prezantuar “Marrëveshjen për Partneritet për bashkëpunimin ndërkufitar ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë” (1-2 min secili).

Kryeministri i RKS, Sh. T. Z. Isa Mustafa i jep fjalën Ministrit të Mjedisit të RSH, z. Lefter Koka, pasuar nga Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të RKS, z. Ferid Agani, për të prezantuar “Marrëveshjen e bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Mjedisit të Republikës së Shqipërisë” (1-2 min secili).

Kryeministri i RSH, Sh. T. Z. Edi Rama i jep fjalën Ministrit të Zhvillimit Ekonomik të RKS, z. Blerand Stavileci pasuar nga Ministri i Energjisë dhe Industrisë të RSH, z. Damian Gjiknuri për të prezantuar “Memorandumin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik të Republikës së Kosovës dhe Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë së Republikës së Shqipërisë” (1-2 min secili).

Mbyllja e Mbledhjes: fjala e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Sh. T. Z. Isa Mustafa pasuar nga fjala e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Edi Rama që përmban Konkluzionet e Përbashkëta të Mbledhjes së Parë, të Dytë dhe të Tretë të Qeverive.

Pas përfundimit të mbledhjes, zhvillohet ceremonia solemne e nënshkrimit të marrëveshjeve në mes dy qeverive.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve, Kryeministri i RKS, Sh. T. Z. Isa Mustafa dhe Kryeministri i RSH, Sh. T. Z. Edi Rama, kalojnë në hapësirën ku mbahet konferenca për media.

Agjenda mediale parasheh dy pyetje nga mediat e Kosovës dhe dy pyetje nga mediat e Shqipërisë.

Pas përfundimit të Konferencës për media, bëhet fotografia e përbashkët. /Indeksonline/