Shtyhet gjykimi për vrasjen e Nazmi Ajetit në Milloshevë

68

Seanca e gjykimit të Valon Eminit të akuzuar për vrasjen e Nazmi Ajetit është shtyrë me kërkesë të palës së dëmtuar.

Valon Emini i akuzuar për vrasjen e Nazmi Ajetit,  dukej shumë i tensionuar, teksa po priste leximin e aktakuzës ndaj tij, por kjo nuk ndodhi sot dhe u shty për 24 qershor.

Emini akuzohet se në gjendje të tronditjes së fortë mendore vrau Nazmi Ajetin 17 dhjetor 2015 në fshatin Milloshevë të Obiliqit.

Kur pritej leximi i aktakuzës ndaj Eminit, Naim Rudari, përfaqësues i familjes së  dëmtuar kërkoi nga gjyqtari Arben Hoti që kjo seancë fillestare të shtyhet.

“Sot kam marrë autorizimin, por as unë e as familja nuk jemi pajisur me shkresat e lëndës dhe kërkojmë që kjo seancë të shtyhet me qëllim që të pajisemi me shkresat e lëndës për këtë çështje penale, sepse ne sot nuk jemi në gjendje të japim asnjë mendim për këtë çështje,“ kërkoi Rudari.

Me këtë propozim u pajtua edhe prokurori Feti Tunizliu i cili në këtë gjykim e zëvendësoi prokurorin Ilaz Beqiri.

“Do të ia përcjelli prokurorit këtë informatë  që të pajisen edhe pala e dëmtuar, propozo që të shtyhet seanca,“ tha prokurori

Për dallim nga Rudari dhe prokurori Tunuzliu, Tahir Rrecaj, avokat i të akuzuarit nuk u pajtua me këtë propozim.

“Konsideroj se nuk është e arsyeshme shtyrja e seancës pasi siç jemi marrë vesh me klientin tim, ky do ta pranojë fajësinë në të gjitha pikat e aktakuzës, pra konsideroj se nuk ka nevojë që të shtyhet seanca,” deklaroi Rrecaj

Propozimi i avokati Rudari u miratua nga gjyqtari Arben Hoti dhe seanca u shty për 24 qershor.

“Aprovohet propozimi i përfaqësuesit të palës së dëmtuar avokatit Naim Rudari që seanca e sotme të shtyhet me arsyetimin që pala e dëmtuar të pajiset më shkresat e lëndës. Me qëllim të transparencës dhe mbarëvajtjes së shqyrtimit dhe të gjithë procesit, gjykata e sheh të arsyeshme që me shkresat e lëndës të pajisen të gjitha palët,” tha Hoti. /kallxo.com/.