Dronët, kërcënim në ‘Euro 2016’

53

Derisa Evropa përgatitet për kampionatin evropian të futbollit, “Euro 2016”, në disa raporte shqetësuese është theksuar frika se Shteti Islamik (IS) ose ndonjë grup tjetër radikal militant, mund të përpiqet ta shkatërrojë në mënyrë të dhunshme këtë garë ose zhvillimet e tjera madhore këtë verë.

Burime të paemëruara të sigurisë të cituara nga mediet britanike, kanë thënë se të dhënat e gjetura lidhur me të vetmin të dyshuar të gjallë për sulmet vdekjeprurëse në Paris, në nëntor të vitit 2015, sugjerojnë se një celulë e Shtetit Islamik po synon të ndërmarrë sulme kundër simpatizuesve rusë dhe anglezë të futbollit.

Disa nga raportet më trishtuese pretendojnë se dosjet nga laptopi i të dyshuarit Salah Abdeslam, përmendin një sulm kimik me përdorimin e fluturakeve të lejueshme komerciale pa ekuipazh, të njohura si drone.