Hahn: Liberalizimi i vizave hap mundësi të reja për kosovarët

51

Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka mbajtur një fjalim para anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme [AFET] të Parlamentit Evropian ku ka raportuar për arritjet dhe pritjet e BE-së në Kosovë, Maqedoni, Bosnje e Hercegovinë, Mal të Zi, Turqi e Serbi.

Në këtë raport të gjatë, Hahn ka folur shkurtimisht edhe për Kosovën, ku ka thënë se sfida e radhës për vendin është implementimi i MSA-së, por ka theksuar se problemet e brendshme politike nuk do të zgjidhen me implementimin e kësaj marrëveshjeje.

“Në Kosovë, sfida e radhës është implementimi i MSA-së. MSA nuk mund t’i zgjidh problemet e brendshme politike të Kosovës, por nëse implementohet si duhet, do të ndihmojë që Kosovën ta mbajë në rrugën e reformave dhe do të krijojë mundësi tregtare dhe investuese. Gjithashtu, kemi bërë një propozim për heqjen e obligimit të vizave për qëndrim afatshkurtër [në vendet Schengen] për Kosovën. Porsa të miratohet, kjo do të hap mundësi të reja për njerëzit që të lidhen me Evropën”, ka thënë Hahn në adresimin e tij para anëtarëve të Komitetit për Punë të Jashtme, raporton Koha.net.

Hahn tha se BE do të vazhdojë të punojë shumë në funksionalizimin e institucioneve demokratike në vendet me potencial për anëtarësim në BE, ku, sipas tij, ka pasur ngecje të rëndësishme.

Sipas tij, gjendja politike në Maqedoni është e papranueshme, por ka thënë se Bashkimi Evropian do t’i vazhdojë përpjekjet dhe do t’i ndihmojë partitë politike atje për të gjetur një zgjidhje.