Burrat n’PDK, gratë n’PTK

113

Deputetë dhe ministra të PDK-së bashkëshortet i kanë të punësuar në Telekomin e Kosovës, ku janë pagat më të larta në vend. Kompania më profitabile në vend është shndërruar në “bankomat” për shefat e Kosovës

Shefat e partisë më të madhe politike në vend (PDK) e kanë zgjedhur kompaninë më profitabile në vend, Telekomin e Kosovës, për t’i punësuar gratë dhe familjarët e tyre, ku pagat e punëtorëve janë më të lartat në vend. Bëhet fjalë për ministra, deputetë dhe zyrtarë të tjerë të partisë së Kadri Veselit, të cilët i kanë punësuar familjarët e tyre në Telekomin e Kosovës, ku pagat e punëtorëve janë në nivel të ministrave të kabinetit qeveritar.

Në këtë kompani publike, por edhe në disa të tjera ku pagat janë të larta, kanë punësuar familjarë të tyre edhe zyrtarë të partisë së kryeministrit, Isa Mustafa (LDK).

Kështu deputeti, Bekim Haxhiu, përpos pagës vjetore si deputet dhe pensionit të invalidit të luftës bashkërisht prej 26 mijë eurosh, siguron të hyra vjetore prej 11 mijë eurosh nga paga e bashkëshortes, e cila punon në Telekomin e Kosovës.

Bashkëshortja në Telekomin e Kosovës i punon edhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, e cila ka një pagë mujore prej mbi 1100 eurosh.

Edhe deputeti Raif Qela, nga Lëvizja për Bashkim, partia e të cilit është në koalicion me PDK-në, ka deklaruar pagë vjetore nga Kuvendi prej rreth 21 mijë eurosh, përderisa bashkëshortja e tij merr pagë vjetore në PTK prej mbi 15 mijë eurosh.

Ndërsa deputeti i PDK-së, Rafet Rama, përpos të hyrave vjetore prej rreth 30 mijë eurosh, ka deklaruar se bashkëshortja e tij merr pagë vjetore prej 26.700 eurosh nga Posta e Kosovës. Përndryshe, bashkëshortja e deputetit Rama është motra e deputetes tjetër të PDK-së, Xhevahire Izmaku.

Në PTK bashkëshorten e ka të punësuar edhe deputeti i partisë më të madhe në vend, Fadil Demaku, ku merr pagë mujore prej rreth 1250 eurosh, përderisa paga mujore e deputetit Demaku është rreth 2000 euro.

Deputeti i Limajt, gruan në PTK

Në PTK bashkëshorten e ka të punësuar edhe deputeti i “Nismës për Kosovën”, Haxhi Shala.

Deputeti i partisë së Fatmir Limajt ka deklaruar se bashkëshortja e tij ka pagë vjetore nga Telekomi i Kosovës prej 7560 eurosh.

Ndërsa bashkëshorti i ministres së Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, merr pagë vjetore prej rreth 20 mijë eurosh nga Telekomi i Kosovës.

Shefi i deputetëve të PDK-së, Adem Grabovci, e ka punësuar bashkëshorten në ndërmarrjen publike “Ibër Lepenc”, ku merr pagë vjetore prej rreth 8 mijë eurosh.

Në këtë kompani publike bashkëshorten e ka të punësuar edhe bashkëpartiaku i Grabovcit, deputeti Hajdar Beqa. Madje Beqa e kishte punësuar gruan në “Ibër Lepenc” sa ka qenë vetë kryeshef i kësaj kompanie publike. Bashkëshortja e Beqës ka pagë vjetore prej rreth 14 mijë eurosh.

Ndërsa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka deklaruar se ka të punësuar gruan e tij në Ministrinë e Drejtësisë, ku kjo e fundit për punën që bën merr një page vjetore prej 5500 eurosh.

Po ashtu edhe Zemaj ka deklaruar se të hyrat vjetore si deputet janë rreth 26 mijë euro.

Bashkëpartiakja e Zemajt, deputetja Besa Gaxherri ka deklaruar se të hyrat e saj si deputete janë 24,429 euro.

Ajo po ashtu ka deklaruar se bashkëshorti i saj punon në Administratën Tatimore të Kosovës, ku për punën që bën merr një pagë vjetore prej 8431 eurosh në vit.

Kurteshi, katër paga nga buxheti i shtetit

Ismajl Kurteshi, deputet i Lëvizjes “Vetëvendosje” në Kuvendin e Kosovës, gjithë familjen e ka të punësuar nëpër ndërmarrje publike, por edhe nëpër institucione shtetërore.

Kurteshi ka vetëdeklaruar se për punën që bën si deputet merr një pagë vjetore prej 24 mijë eurosh. Ai po ashtu ka deklaruar se gruan e ka të punësuar në Shtëpinë e Shëndetit, në të cilën merr një pagë prej 7200 eurosh.

Kurteshi po ashtu ka deklaruar se njërin fëmijë e ka të punësuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, ku merr pagë vjetore prej 7200 eurosh, ndërkaq tjetrin në Telekomin e Kosovës, i cili po ashtu merr një pagë prej rreth 7000 eurosh.

Edhe Lirije Kajtazi, deputete e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës, në formularët e AKK-së ka deklaruar se merr një pagë vjetore prej 22 mijë eurosh, ndërkaq burri i saj merr një pagë vjetore prej 5 mijë eurosh nga Kuvendi Komunal i Gjilanit.

Gruan në Forcën e Sigurisë së Kosovës e ka të punësuar edhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Nait Hasani. Për punën që bën gruaja e tij merr një pagë vjetore prej 9762 eurosh, ndërkaq vetë Hasani ka deklaruar se brenda vitit realizon të hyra prej 28 mijë eurove.

Gruan në Ministrinë e Financave e ka të punësuar edhe ministri i Diasporës, Valon Murati. Në formularët e AKK-së Murati ka deklaruar se vetë merr një pagë vjetore prej 14 mijë eurosh, derisa gruaja e tij merr një mijë euro më pak, respektivisht 13 mijë euro brenda një viti

Të hyrat vjetore nga buxheti i shtetit:

Rafet Rama                         56,700 euro

Raif Qela                              51,789 euro

Ismajl Kurteshi                    45,500 euro

Fadil Demaku                      39,081 euro

Hykmete Bajrami                39,035 euro

Nait Hasani                         37,762 euro

Hajdar Beqa                       37,000 euro

Bekim Haxhiu                    37,000 euro

Adem Grabovci                 33,920 euro

Besa Gaxherri                    32,860 euro

Valon Murati                       27,000 euro

zeriinfo