Kryeministrit Mustafa do t’i hetohet pasuria

45

Formularët e 806 zyrtarëve ose 20% e listës totale prej 3900 zyrtarëve të lartë që e kanë bërë deklarimin e rregullt vjetore do t’i nënshtrohen kontrollit të plotë të pasurisë nga ana e Agjencisë kundër korrupsionit.

Kurse, në rast se Agjencia gjen parregullsi në deklarimin e pasurisë, atëherë ndaj këtyre zyrtarëve do të ushtrohet kallëzim penal.

Në këtë listë është edhe zëvendëskryeministri, Hajredin Kuçi.

Përveç tij, gjatë shortit që është hedhur sot nga Agjencia Kundër-Korrupsion është edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, zëvendësministri i Mjedisit, Mërgim Rugova, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, zëvendësministri i Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, zëvendësministri i Kulturës, Rexhep Hoti, deputetja Njomza Emini, si dhe zyrtarë të tjerë.

Drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), Hasan Preteni tha se agjencia ka marrë të gjitha masat ligjore që të dhënat e tyre t’i krahasojnë me të dhënat e deklaruara nga zyrtarët e lartë.

“Tash është faza e kontrollit, kapacitetet kryesore të agjencisë do të bazohen në kontroll. Ne do të vazhdojmë me formular të rinj sepse në vazhdimësi kemi zyrtarë që pranojnë detyra, largohen nga detyra këto janë llojet e deklarimit të pasurisë me marrjen e detyrës dhe largimin nga detyra. Prioritet do të jetë kontrollimi i këtyre formularëve, i këtyre zyrtarëve. Kontrollohen të dhënat e tanishme, i kontrollojmë me të dhënat e formularëve ndër vite, i krahasojmë këto të dhëna me të dhënat që i sigurojmë te mekanizmat tjerë…sigurojmë të dhëna për këta zyrtarë dhe i krahasojmë këto të dhëna, me ato që këta i kanë deklaruar me të dhënat që ne i sigurojmë. Secilin rast që ka mospërputhje mes asaj të deklaruarës dhe të gjeturës ne ushtrojmë kallëzime penale për deklarim të rrejshëm”, tha Preteni.

Preteni ka theksuar se duhet një qasje interaktive e bashkëpunimit në mënyrë që të gjejnë zyrtarët që punojnë për xhepat privat.

“Duhet me pas një qasje më interaktive, të bashkëpunojmë dhe t’i gjejmë se cili zyrtarë po zotohet që do të punoj në të mirën e përgjithshme, betohet-zotohet dhe del që nuk punohet ashtu, por po punohet për xhepat privat. Bashkërisht gjithë këtë pasuri të krijuar në mënyrë të paligjshme të tentojmë bashkërisht t’ia kthejmë qytetarëve”, tha Preteni.

Ndryshe, vitin e kaluar AKK, ka kontrolluar 799 formularë, ku ndaj 43 rasteve është ushtruar kallëzim penal.

Lista e zyrtarëve publik që do t’i nënshtrohen kontrolli të pasurisë publike do të publikohet edhe në faqen e Agjencisë Kundër Korrupsion. /KP/