PODUJEVA PËRFITUESE E GRANTIT NGA BASHKIMI EVROPIAN

40

Komuna e Podujevës është në mesin e tri komunave të Kosovës që kanë përfituar grante nga projektet e Zyrës së Bashkimit Evropian dhe të implementuar nga Instituti Riinvest.

Grantet për implementimin e projekteve të vogla me ndikim të shpejtë, u ndanë sot në ceremoninë përmbyllëse zyrtare për Akademinë Zhvillimore IT, projekt ky implementuar nga Instituti Riinvest dhe i financuar nga Zyra e BE-së në Kosovë.

Komunat përfituese janë Podujeva, Obiliqi dhe komuna Shtimes si dhe tetë biznese të vogla në rajonin ekonomik qendër.

Në kuadër të këtij projekti, Komuna e Podujevës ka përfituar një grant me pjesëmarrje, në vlerë prej 12,500 euro, i cili do të ndikojë në krijimin dhe përmirësimin e kushteve për promovimin e kulturave bujqësore me të cilat tanimë identifikohet Komuna e Podujevës.

Drejtori ekzekutiv në Riinvest, Lumir Abdixhiku tha se projektet zhvillimore të zbatuara përfshijnë ndërtimin e punëtorive për përpunimin e pemëve dhe perimeve, përpunimin e bimëve mjekuese dhe eliminimin e deponive ilegale.

Kryesuesi i Operimeve Zyra e BE-së, Christof Stock, foli për rëndësinë e granteve dhe Akademisë, kurse projektin e quajti mjaft të rëndësishëm për zhvillimin e komunave në mënyrë që ato t’i zhvillojnë strategjitë ekonomike të tyre.

Nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se kjo mbështetje e dhënë krijon mundësinë që zyrtarë të fushave dhe profileve të ndryshme të komunës së Podujevës të aftësohen jo vetëm për aplikim në projekte, por edhe për zhvillim të projekteve për ngritjen dhe përmirësimin e kapaciteteve ekzistuese.

“Akademia një dhe dy, komunës së Podujevës i ka ndihmuar me aftësimin e gjashtë zyrtarëve, të cilët tanimë janë një grup, i cili mund të transferojnë dijet e fituara edhe tek zyrtarë të tjerë komunalë.

Po ashtu në kuadër të këtij projekti komuna e Podujevës është përfituese e një granti me bashkëfinancim, projekt i cili është mjaft domethënës që do të ndihmon në promovimin e kulturave bujqësore me të cilat kjo komunë identifikohet”, tha nënkryetari Rudari, me rastin e pranimit të certifikatës së grantit të përfituar, informon Zyra për Informim e KK, Podujevë.