Deri në fund të vitit, s’ka liberalizim për Kosovën

31

Institucionet e Bashkimit Evropian, Këshilli dhe Parlamenti Evropian, nuk do të vendosin për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës para vjeshtës. Ndaj, kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm deri në fund të këtij viti.

Për këtë çështje nuk ishin të gatshëm të deklarohen në Ministrinë e Integrimeve Evropiane, duke kërkuar që për këtë informacion të kontaktohen javën e ardhshme.

Në mbledhjen e Ministrave të Brendshëm, Gjermania dhe Franca kundërshtuan liberalizimin e shpejtë të vizave për Kosovën, Ukrainën edhe Gjeorgjinë, për shkak të rrezikut nga rritja e fluksit të azilkërkuesve.

As në Parlamentin Evropian kjo çështje nuk pritet të jetë në rend dite para shtatorit. Aktualisht ky proces është në Komisionin për liri qytetare, drejtësi dhe punë të brendshme i Parlamentit Evropian.

Ditë më parë, raportuesja për Kosovën në këtë proces eurodeputetja sllovene, Tanja Fajon, ka prezantuar draft-raportin mbi procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Deputetët evropianë tani mund të japin amendamente në raportin e saj dhe pritet që ai të votohet para pushimeve në verës në Komisionin përkatës, për t’u votuar eventualisht në seancë plenare në vjeshtë.

Përkundër se krerët shtetëror vazhdimisht kanë shprehur bindjen se nga vera e këtij viti qytetarët do të lëvizin lirshëm në zonën Shëngen, duket se tashmë kanë ndryshuar qëndrimet e tyre.

Studiuesi i ligjeve dhe politikave të Bashkimit Evropian, Avni Mazreku, vlerëson se në rastin e Kosovës përderisa mungojnë pesë njohje, kjo vendimmarrje do të ketë problematike.

Ende pa filluar negociatat midis Komisionit Evropian dhe Kosovës për liberalizim të vizave në vitin 2012, liderët politik e kanë përdorur në fushata elektorale këtë proces, duke u tejzgjatur në retorikë. /Tribuna Channel/