KKSB e vlerësoi stabile situatën e sigurisë në Podujevë

29
Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) e ka vlerësuar të qetë dhe stabile gjendjen e sigurisë në Komunën e Podujevës dhe ka apeluar që gjatë muajve të verës, në sezonin e ahengjeve familjare, qytetarët të përmbahen nga të shtënat me armë.
Në mbledhjen e rregullt, Këshilli Komunal për Siguri në Bashkësi (KKSB) i Komunës së Podujevës, i kryesuar nga kryetari, Agim Veliu, ka analizuar gjendjen e sigurisë dhe ka iniciuar aktivitetet për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime publike, si dhe është informuar me Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020,të Zyrës së Kryeministrit – Zyra për Planifikim Strategjik.

Komandanti i Stacionit të Policisë në Podujevë, kapiteni Bekim Bislimi, gjendjen e sigurisë në komunën e Podujevës për periudhën raportuese janar-maj e ka vlerësuar të qetë dhe stabile.

Kapiteni Bislimi, në kuadër të aktiviteteve të policisë, përmendi edhe disa aksione të policisë në bashkëpunim me organet komunale për parandalimin e operimit të taksive ilegale dhe operimit pa licenca të motoskafëve në Liqenin e Batllavës. Komandanti i Stacionit Policor gjithashtu potencoi edhe rastin e identifikimit dhe zbulimit të akterëve të demolimit dhe dëmtimit të shkollës në Dobërdol.

Krahas raportit për gjendjen e sigurisë dhe aktiviteteve të policisë për parandalimin dhe zbulimin e kryerësve të akteve kriminale, kapiteni Bislimi ka prezantuar idenë e vendosjes së kamerave brenda qytetit në rrugët kryesore dhe hyrje daljet e Podujevës.

Vendosja e këtyre kamerave, sipas komandantit të Stacionit të Policisë,  është projekt i një rëndësie të veçantë dhe në interes të ngritjes së sigurisë në aspektin e përgjithshëm.

Kryetari i Komunës, Agim Veliu, përshëndeti angazhimin dhe efikasitetin e policisë për zvogëlimin e rasteve kriminale, si dhe rastin e zbulimit të kryerësve të veprës së demolimit të shkollës në Dobërdol.

“Ideja për vendosjen e kamerave në rrugët e qytetit është një projekt që duhet ta analizojmë dhe diskutojmë dhe të marrim një vendim në të ardhmen”, tha kryetari Veliu, duke e vlerësuar si shumë të mirë bashkëpunimin e institucioneve komunale dhe mekanizmave të tjerë me Policinë e Kosovës.

Në mbledhjen e sotme, ku ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e KFOR-it, u diskutua edhe për sensibilizimin dhe inicimin e aktiviteteve për parandalimin e të shtënave me armë në dasma, ahengje dhe manifestime publike. Lidhur me këtë çështje komandanti i Stacionit Policor tha se edhe sivjet, që nga fillimi i muajit qershor, është duke u implementuar projekti “Festo me zemër e jo me armë”. Ai tha se policia do të jetë shumë rigoroze dhe nuk do të tregojë aspak tolerancë ndaj atyre që do të rrezikojnë sigurinë e qytetarëve duke shtënë me armë.

Me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve dhe njoftimit për rrezikun që paraqesin të shtënat me armë, në takim u tha se edhe sivjet duhet të mbahen takime me qytetarë, pronarët e objekteve hoteliere ku organizohen dasmat dhe ahengjet si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe subjekte të tjera.

KKSB në takimin e sotëm u njoftua edhe me Strategjinë për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm 2015-2020,të Zyrës së Kryeministrit – Zyra për Planifikim Strategjik dhe caktoi grupin për hartimin e Planit të veprimit komunal për implementimin e Strategjisë.