Projektet e investimeve kapitale në Komunën e Podujevë po realizohen sipas planit

64

 

Në takimin publik me qytetarë, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka prezantuar ecurinë e realizimit të projekteve të parapara me buxhetin e Komunës për gjashtëmujorin e parë të vitit 2016.

Në komunën e Podujevës është mbajtur takim publik me qytetarë, të cilin në mungesë të kryetarit të Komunës, z.Agim Veliu, i cili ndodhet në vizitë zyrtare jashtë vendit, e ka udhëhequr nënkryetari Nexhmi Rudari, e ku ishin të pranishëm edhe drejtorët e drejtorive komunale.

Nënkryetari Rudari tha se projektet e planifikuara për investime kapitale dhe subvencione për vitin 2016 janë duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë.

“Në gjashtëmujorin e parë të këtij viti janë realizuar projektet e planifikuara konform me planifikimet buxhetore të Komunës për vitin 2016. Gjithashtu edhe procedurat e prokurimit janë zhvilluar sipas dinamikës së planifikuar”, tha nënkryetari Rudari.

Më tej nënkryetari Rudari, duke prezantuar projektet e realizuara në gjashtëmujorin e parë, në secilën drejtori, tha se në Drejtorinë e Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, tashmë janë realizuar disa projekte.

Duke numëruar projektet e realizuara në gjashtëmujorin e parë të këtij viti nënkryetari Rudari tha se janë asfaltuar disa rrugë në fshatrat Merdar, Shakovicë, Konushec, Peran, Orllan dhe janë duke u kryer punët asfaltimin e rrugës në një lagje të fshatit Obrançë. Gjithashtu është nënshkruar kontrata për asfaltimin e rrugës Podujevë-Livadicë dhe disa lagjeve në Livadicë. “Janë kryer procedurat e prokurimit edhe për disa projekte të tjera të asfaltimit të rrugëve të planifikuara për këtë vit”, tha nënkryetari.

Nënkryetari Rudari tha se edhe në Drejtorinë e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim projektet e planifikuara janë duke u zhvilluar sipas dinamikës.

“Tashmë është realizuar projekti i ndërtimit të urave në Konushec dhe Dvorishtë, kolektori i ujërave të zeza Shtedim-Dumnicë, rregullimi i infrastrukturës së varrezave-rregullimi i rrugëve (në Bajqinë, Dobratin, Lepajë, Bellopojë, Dumnicë), kanalizimi fekal në lagjet e qytetit (Rudari, Rakinica, Drenica) dhe në disa lagje të fshatrave Lupç dhe Shakovicë. Gjatësia e kanalizimeve të përfunduara është 11,6 km, nga të cilat 4,4 km kolektor”, tha nënkryetari Rudari, duke theksuar se në fazën e kryerjes së punëve apo procedura tenderuese janë edhe 14,3 km rrjet kanalizimi.

Gjithashtu është duke u punuar kolektori i ujërave të zeza në Gllamnik, ndërtimi i urës në Pakashticë e Epërme (para përfundimit), riparimi i rrugëve të asfaltuara, kanalizimi fekal në Godishnjak, zgjerimi dhe mirëmbajtja e ndriçimit publik, ndërtimi i trotuareve në qytet në Rrugët “Skënderbeu”, “Dëshmorët”, “Bedri Bajrami”, “Qëndresa”, “Ramë Obrança”.

Nënkryetari Rudari tha se, Drejtoria për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural gjatë kësaj periudhe ka subvencionuar projektin për perimkulturë, ngritjen e serrave për 50 fermerë. Ndërsa, është në proces të tenderimit edhe subvencionimi i projektit për bletari në vlerë prej 50 mijë euro.

Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në gjashtëmujorin e parë të këtij viti, sipas nënkryetarit Rudari, ka realizuar projekte të renovimit të objekteve shëndetësore, kurse tashmë janë duke u zhvilluar procedurat e prokurimit për blerjen e mamografit për QKMF, ndërtimin e objekteve ndihmëse për QMF dhe AF si dhe pajisje mjekësore.

Nënkryetari Rudari gjithashtu tha se në sektorin e arsimit janë planifikuar të realizohen disa projekte në renovimin e objekteve shkollore, ndërtimin e fushave të sportit dhe rrethojave të oborrit, të cilat do të realizohen deri në fillim të vitit të ri shkollor.