QEVERIA MIRATON KONCEPT DOKUMENTIN PËR TRANSPORTIN RRUGOR

26

E drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës ka zhvilluar mbledhjen e rregullt, në të cilën ka miratuar koncept dokumentin per Transportin Rrugor, ndarjen e mjeteve për renovimin e Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë dhe ka trajtuar vendimin për masën lidhur me materialet ndërtimore nga argjila.

Vendimi i parë, të cilin e ka miratuar kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme, është aprovimi i Koncept dokumentit për hartimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Transportin Rrugor. Ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për transportin rrugor vjen si rezultat i harmonizimit të legjislacionit të Kosovës që rregullon fushën e transportit rrugor me legjislacionin e Bashkimit Evropian. Këto plotësime dhe ndryshime të Ligjit aktual do të kontribuojnë në modernizimin e shërbimeve të transportit rrugor të udhëtarëve dhe mallrave në Kosovë dhe në interes të konsumatorëve të këtyre shërbimeve.

Qeveria ka miratuar edhe vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për renovimin e Stadiumit “Adem Jashari” në Mitrovicë, me qëllimin që ky objekt sportiv të jetë funksional sipas standardeve të rekomanduara nga UEFA dhe FIFA, për zhvillimin e ndeshjeve ndërkombëtare të futbollit.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast tha se është trajtuar mundësia që ky vendim të bëhet përmes rishikimit të Buxhetit, duke qenë një proces më i rregullt. “Mirëpo, meqenëse kushtet që i ka vënë FIFA janë kushte të cilat nuk presin, ndërkaq derisa të hyj në fuqi ndryshimi dhe plotësimi i Ligjit për ndryshimin e Buxhetit është një periudhë e caktuar kohore, e cila na i prolongon punët të cilat duhet të bëhen në Stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë, është dhënë ky propozim që këtë ta bëjmë, me kusht që pastaj të riplotësohet pjesa e rezervës buxhetore gjatë rishikimit të Buxhetit dhe të shfrytëzohen të gjitha burimet tjera të cilat i ka Ministria e Kulturës, në mënyrë që të plotësohet pjesa tjetër, sepse është fjala për një investim, me sa kemi informata, ndërmjet 1 milion e 100 mijë deri në 1 milion e 200 mijë euro. Kjo është vlerë e parallogaritur. Vlera e vërtetë është vlerë që pastaj do të përcaktohet në fazën konkurruese”, tha kryeministri Mustafa.

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe ka aprovuar dhënien e mbështetjes për zbatim nga Dogana të vendimit që ka marrë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë për marrjen e masës në importe për material ndërtimor nga argjila.

Kryeministri Isa Mustafa foli edhe për çështjen e koordinatorit të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), e cila, siç u shpreh kryeministri, ka filluar të politizohet pas një vlerësimi që ka dhënë Agjencioni Anti Korrupsion.

“Ne do të marrim vendim në Qeveri karshi kësaj. Askush nuk ka pasur qëllim që të politizohet, sepse ne kemi diskutuar me partnerët tanë ndërkombëtar, edhe me MCC-në, edhe me Ambasadën Amerikane, dhe me USAID-in në gjithë këtë proces dhe krejt procesi është zhvilluar në pajtim dhe harmoni të plotë të gjitha këtyre palëve. Mirëpo, ne i respektojmë interpretimet ligjore dhe unë do të konsultohem edhe me zëvendëskryeministrat edhe me partnerët tanë, në mënyrë që në mbledhjen e ardhshme ne të marrim vendim në Qeveri se si do të gjendet zgjidhja për t’u harmonizuar krejt kjo me interpretimin që e ka dhënë Agjencioni”, tha kryeministri Mustafa.