SHQIPËRIA DHE KOSOVA ME AUTOSTRADË TË PËRBASHKËT ENERGJETIKE

35

Shqipëria dhe Kosova prej sot kanë një autostradë të përbashkët energjetike. Në praninë e dy kryeministrave Edi Rama dhe Isa Mustafa është inaguarar linja 400-kilovoltësh e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës në një gjatësi prej 241.5 kilometrash.

Kjo vepër kapitale që bashkon dy sistemet elektro-energjetike, është cilësuar ekuivalente me Rrugën e Kombit.
Projekti i Inetrkonjeksionit Shqipëri – Kosovë përbënë investimin më të rëndësishëm midis dy vendeve i mbështetur financiarisht në vlerën prej 75 milion e 500-mijë euro nga Banka për Zhvillim e Gjermanisë “KFW”.

Ministri shqiptar i Energjetikës Damian Gjiknuri inagurimin e linjës së Interkonjeksionit e ka quajtur, “një gur i rëndësishëm për integrimin e dy vendeve, ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik të Kosovës Blerand Stavileci, vuri re se bashkimi i tregut energjetik do të nxitë një zhvillimi shumë më dinamik në të dy anët e kufirit.

Linja e Intekonjeksionit në territorin shqiptar ka një gjatësi prej 151.5 kilometrash, ndërsa në territorin e Kosovës 90 kilometra. Vlera e përgjithshme e financimit të Bankës Gjermane për Zhvillim kap shumën 33,5 milion euro për pjesën e intekonjeksionit në Kosovë dhe 42 milion të tjera për Shqipërinë. Bashkimi i dy sistemeve energjetike pritet të sjell përfitime të ndërsjella. Ndërkohë, sipas një projekti të nxitur edhe nga Procesi i Berlinit, linja e interkonjeksionit elektro-energjetik në një të ardhme të afërt do të lidhet edhe me Maqedoninë.

Autor: Asllan Bajrami-Tiranë