Dënohet Sllobodan Gavriq për terrorizëm

33

Sllobodan Gavriq, I akuzuari për vepra terroriste dhe kundër rendit kushtetues është dënuar sot nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Gavriqin kjo gjykatë e dënoi me 13 vjet burg, ndërsa ia konfiskoi edhe veturën dhe eksplozivin e gjetur në të.

Gavriqit iu vazhdua paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e dënimit, ndërsa u obligua që të paguajë shpenzimet e gjykatës në vlerën e 300 eurove.

Gavriq u arrestua në Lagjen “Arbëria” të Prishtinës në dhjetor të vitit 2014, pasi në makinën me të cilën udhëtonte policia gjatë kontrollit zbuloi 12 kilogramë e 219 gramë eksploziv të llojit PETN që ekspertët e vlerësojnë nga më të fuqishmit që ekziston aktualisht.

Prokuroria Speciale ngriti aktakuzë ndaj Gavriqit më 10 korrik 2015.

Sipas aktakuzës, Sllobodan Gavriq, ka përgatitur kryerjen e veprën penale të terrorizmit  ashtu që gjatë muajit dhjetor të vitit 2014 në Beograd është furnizuar me 25 pajisje eksplozive me peshë totale 12.219 gramë, të cilat përmbajnë eksploziv të fuqishëm PETN i kombinuar me fragmente metali, bulona dhe gozhda, të cilat shërbejnë për rritjen e fuqisë shkatërruese dhe shkaktimit sa më të madh të viktimave në njerëz dhe dëme materiale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Gavriqi këtë sasi të eksplozivit e ka transportuar nga Beogradi për në Prishtinë me veturën e ti “Renault Clio” kur rreth orës 21:00 në Lagjen “Arbëria” është ndaluar nga Policia e Kosovës me ç‘rast gjatë kontrollimit të kryer në bagazhin e veturës së tij është gjetur çanta në të cilin ishte vendosur eksplozivi.

Sipas aktakuzës, eksplozivi i Gavriqit, ishte marrë në Beograd dhe kishte për qëllim kryerjen e një akti terrorist.

Gjatë procesit gjyqësor Gavriq nuk e pranoi fajësinë, ndërsa tha se eksplozivin në Prishtinë e kishte sjellë për ta shitur.

Ai deklaroi se edhe dy herë të tjera kishte ardhur në kryeqytetin e Kosovës me këtë ngarkesë të rrezikshme.

I akuzuari gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tij më 21 qershor tha se nuk ishte kontrolluar kur hyri në Kosovë me materien shpërthyese që iu kap në “Arbëri”.