U miratua Korniza afatmesme buxhetore 2017 – 2019

38

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot ka miratuar Kornizën afatmesme buxhetore 2017-2019, Planin e Veprimit për Energji të Qëndrueshme për Podujevën, Propozimin e vendimit për organizimin e kujdesit dytësor shëndetësor – Spital i Përgjithshëm në komunën e Podujevës dhe disa vendime të tjera me interes
Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e udhëhoqi kryesuesi i Kuvendit, z.Mehmet Gashi, e ku ishte i pranishëm edhe kryetari Komunës, z.Agim Veliu, nënkryetari z.Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive.
Para se të miratohej rendi i ditës këshilltarët nga dy subjekte opozitare PDK dhe VV kanë kërkuar që dy pika të cilat i janë rekomanduar kuvendit për shqyrtim dhe miratim, e që kishin të bënin me miratimin e Propozimin e vendimit për inicimin e procedurave për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ – Klubi publik i futbollit “Llapi” në Podujevë me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e shoqërisë aksionare dhe Propozimi i Vendimit për dhënien e pronave të paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatgjatë Kompanisë KEDS, të mos jenë pjesë e rendit të ditës me arsyetimin se këshilltarëve u nevojitet më shumë kohë për t’i shqyrtuar ligjet dhe udhëzimet e nevojshme para se të marrin vendim.
Mirëpo pas sqarimit të cilin e bëri Kryetari i Komunës së Podujevës z.Agim Veliu, i cili tha se janë ndjekur dhe përfillur të gjitha procedurat e parapara dhe vendimi për ndërprerjen e aktivitetit të klubit “Llapi” si OJQ dhe themelimi i tij si shoqëri aksionare po bëhet në një moment të ri për futbollin tonë për t’i kryer obligimet karshi rregullave të Federatës së Futbollit të Kosovës dhe rregullave të institucioneve ndërkombëtare të futbollit, kuvendi miratoi rendin e ditës siç kishte ardhur nga Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF)
Pas miratimit të rendit të ditës drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa Isuf Latifi, para kuvendarëve ka prezantuar Kornizën Afatmesme Buxhetore komunale, për të cilën tha se është pjesë përbërëse e Kornizës afatmesme të shpenzimeve (KASH) të Kosovës, dhe është ndërtuar në përputhje me procedurat buxhetore 2017/2019 të dhëna nga Ministria e Financave (MF) përmes qarkores buxhetore 2017/01.
Ndërsa sa u përket shpenzimeve në Kornizën afatmesme buxhetore, drejtori Latifi tha se është përfshirë një projeksion tre vjeçar.
“ Në fushën e shpenzimeve në KAB është përfshirë një projeksion tre vjeçar i shpenzimeve të cilat mund të financohen nga grantet qeveritare dhe të hyrat vetanake. Shpenzimet janë projektuar sipas drejtorive (programeve) dhe sipas objektit të shpenzimeve si: pagat dhe mëditjet, mallrat dhe shërbimet, komunalit, subvencionet dhe kapitalet”, tha Latifi
Shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, i dha mbështetje Kornizës afatmesme buxhetore të Komunës së Podujevës, për të cilën tha se siguron një analizë të hollësishme të shpenzimeve publike dhe përcakton prioritetet për zhvillimin e buxhetit për dy vitet në vazhdim.
Ndërsa, shefi i grupit të këshilltarëve të PDK-së, Rafet Llapashtica, bëri vërejtje e tij në lidhje me ngatërrimin e projekteve nëpër drejtori dhe përsëritjen e disa projekteve dhe mos realizimin e tyre ende. Edhe shefi i grupit të këshilltarëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Haki Rudari, bëri vërejtje lidhur mos specifikimin e projekteve nga drejtoritë e ndryshme. Lidhur me këtë pikë të rendit të ditës diskutoi edhe Flakron Gashi dhe Lutfi Rexhepi (PDK).
Pas diskutimeve lidhur me këtë pikë të ditës kuvendi me shumicë votash miratoi Kornizën afatmesme buxhetore 2017 – 2019
Në lidhje me pikën e dytë të rendit të ditës, pas prezantimit nga bartësi i projekti Rasim Fejza, kuvendi njëzëri miratoi Planin e Veprimit për Energji të Qëndrueshme për Podujevën,
Kuvendi gjithashtu miratoi Propozimin e vendimit për organizimin e kujdesit dytësor shëndetësor – Spital i Përgjithshëm në komunën e Podujevës, Propozimin e vendimit për inicimin e procedurave për ndërprerjen e aktivitetit të OJQ – Klubi publik i futbollit “Llapi” në Podujevë me qëllim të themelimit të klubit me organizim në formën e shoqërisë aksionare dhe Propozimi i Vendimit për dhënien e pronave të paluajtshme të komunës në shfrytëzim afatgjatë Kompanisë KEDS.