Fitimi i bankave arrin në 30.5 milionë euro

41

Të gjitha bankat komerciale në vend nga fillimi i këtij viti e deri në fund të muajit maj kanë arritur të sigurojnë një fitim të pastër prej 30.5 milionë eurosh. Nëse bëjmë një krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shihet se fitimi është më i vogël për rreth 9 milionë euro

Bankat komerciale në vend edhe më tutje vazhdojnë të kenë afarizëm të suksesshëm, derisa bizneset tjera të mëdha po përballen me vështirësi të shumta. Duke u bazuar në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), shihet se të gjitha bankat komerciale në vend nga fillimi i këtij viti e deri në fund të muajit maj kanë arritur të sigurojnë një fitim të pastër prej 30.5 milionë eurosh. Nëse bëjmë një krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar shihet se fitimi është më i vogël për rreth 9 milionë euro, ku bankat siguruan një fitim neto prej 39.2 milionë eurosh. “Gjatë kësaj periudhe kohore të hyrat e bankave kanë qenë 94.7 milionë euro e ku nga kjo shumë të hyrat nga interesi kanë qenë 73.8 milionë euro. Ndërkaq në periudhën e njëjtë kohore shpenzimet kanë qenë 64.2 milionë euro, ku nga kjo shumë shpenzimet e interesit kanë qenë 8 milionë euro, derisa shpenzimet gjenerale dhe administrative kanë qenë 39.9 milionë euro”, thuhet në raportin e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK). Gjithnjë duke u bazuar në këtë raport shihet se gjatë kësaj periudhe kohore norma në kredi për ekonomi familjare ka qenë 7,8 për qind, derisa për ndërmarrje ka qenë 7,3 për qind. Ndërkaq në anën tjetër, norma mesatare e interesit për depozita për ekonomi familjare ka qenë 0,7 për qind, derisa për biznese ka qenë 1,5 për qind.

1.4 milion euro fitim

Edhe institucionet mikrofinanciare në vend sivjet vazhdojnë ta rrisin fitimin nga muaji në muaj, deri në të kaluarën ato e kanë mbyllur vitin me bilanc negativ. Duke u bazuar në raportin e fundit të BQK-së shihet se nga fillimi i vitit e deri në fund të muajit maj të gjitha institucionet mikrofinanciare në vend shënuan një fitim të pastër prej 1.4 milion eurosh, derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar të gjitha së bashku për pesë muaj kishin arritur të sigurojnë një fitim të pastër prej 800 mijë eurosh. Gjatë kësaj periudhe kohore në këto institucione norma e interesit në kredi ka qenë 23,9 për qind, derisa në periudhën e njëjtë të vitit që lamë pas ajo ka qenë 22,2 për qind. Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së shihet se gjatë kësaj periudhe kohore të hyrat e tyre ishin 9.6 milion euro, derisa shpenzimet 8.2 milionë euro.

Sigurimet, 500 mijë euro fitim

Fillimi i këtij viti ka qenë shumë i suksesshëm edhe për kompanitë e sigurimeve në vend, ku nga bilanci negativ që kanë pasur gjatë vitit 2016 kanë kaluar në bilanc pozitiv, ku për pesë muaj kanë arritur të fitojnë 500 mijë euro e derisa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar kishin regjistruar një humbje prej 200 mijë eurosh. Ndërkaq sa i përket Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës shihet se deri më tash janë grumbulluar 1 miliard e 271 milionë euro, ku nga kjo shumë 1 miliard e 265.8 milion euro ndodhen në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës, derisa 6.1 milionë euro ndodhen në Fondin Slloveno-Kosovar të Kursimeve.

Në anën tjetër Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se fitimet e bankave po ndodhin në kohën kur ka rënie të normave të interesit në kredi. “Kjo do të thotë se është rritur vëllimi i kredive dhe i investimeve të tjera që bëjnë bankat dhe kanë një kthim të sigurt”, ka thënë ai.