Podujeva merr vendim për formimin e spitalit të përgjithshëm

73

“Neni 20 i Ligjit të shëndetësisë parasheh që komunat mund ta kenë të organizuar edhe kujdesin shëndetësor dytësor, që identifikohet me spitale. Në mënyrë specifike, ky nen thotë se ‘kujdesi dytësor shëndetësor mund të organizohet edhe në nivelin komunal me kërkesën e kuvendit përkatës komunal dhe në pajtim me vendimin e ministrit të Shëndetësisë’, shkruan sot Koha Ditore.

Podujeva, si me shtrirje gjeografike, ashtu edhe me numër të popullatës, i ka tiparet e një komune të madhe”, ka thënë Faik Hoti, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë.

Qytetarëve të Komunës së Podujevës do t’iu ofrohen edhe shërbime shëndetësore të nivelit dytësor, pas përfundimit të të gjitha procedurave për formimin e spitalit të përgjithshëm. Vendimi për këtë është marrë në mbledhjen e fundit të Kuvendit Komunal.

Kjo pikë e rendit të ditës nuk ishte paraparë për këtë seancë, por ishte propozuar me urgjencë në ditën e mbajtjes së saj. Pro kanë votuar të gjithë këshilltarët komunalë të pozitës e opozitës.

Kreu i Podujevës, Agim Veliu, ka thënë se ky është ndër vendimet më të rëndësishme të këtij Kuvendi. Ka thënë se pas përfundimit të disa procedurave do të fillon punën spitali që në fillim do të ofrojë disa shërbime, duke parashikuar zgjerimin e tyre në të ardhmen.