BESIMTARËT MUSLIMANË FESTOJNË FESTËN E FITËR BAJRAMIT

26

Të gjithë besimtarët e fesë islame sot po shënojnë festën e Fitër Bajramit e cila nisi me faljen e namazit.

Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, nga Xhamia e Madhe në Prishtinë, pas namazit të Bajramit ka mbajtur një ligjëratë para besimtarëve mysliman, nga bëri thirrje që qytetarët e Kosovës të kenë më shumë solidaritet në mes vete si dhe të kujdesen për trojet e tyre, për të cilën siç tha u sakrifikuan breza të tërë.

“Trojet tona etnike shqiptare duhet ti ruajmë si sytë e ballit, Kosovën tonë për të cilën u sakrifikuan breza të tërë u derdh gjak i shumtë, ranë shumë dëshmorë që ne sot të jemi të lirë. Nuk ka mëkat më të madh se vrasja në islam për besimtarin, duke e pasur në hatër se e drejta e marrjes së shpirtit i takon vetëm atij i cili e ka krijuar dhe dhuruar shpirtin. Allahu thotë: kush mbyt një njeri pa të drejtë i cili nuk e ka mbytur askënd ose që nuk ka bërë çrregullime në tokë, atëherë është si të kishte mbytur gjithë njerëzit, e kush de ngjall, bëhet shkak që të jetë ai gjallë është si ti kishte ngjallur apo shpëtuar gjithë njerëzit, mbaron citati. Çdo sulm me prapavijë fetare i kryer nga kushdo qoftë ndaj njerëzve të pafajshëm direkt dëmton fenë në të cilën thirret krimineli. Feja islame urdhëron në dashuri, mëshirë e paqe mes njerëzve, terrori është e kundërta e fesë islame, mësimeve të saja, është mizori e cila qon në gjakderdhje të njerëzve të pafajshëm duke përfshirë të gjitha format e anarkisë dhe terrorit që godasin sigurinë, qetësinë dhe paqen”, u shpreh ai.

Myftiu Tërnava i ka kritikuar edhe ata që po vrasin njerëz të pafajshëm nëpër qendra të ndryshme nëpër botë, në emër të fesë.

Ai e përmendi edhe rastin e fundit të vrasjeve terroriste në Stamboll, Irak e Medinë.

“Shumë njerëz nëpër vende të ndryshme të botës janë viktima të njerëzve pa ndjenja njerëzore, njerëzve kriminel të cilët përmes akteve të tyre terroriste po vrasin njerëz të pafajshëm nëpër qendra tregtare, nëpër sheshe, restorante, aeroporte e ku jo. Sot në këtë ditë gëzimi e hareje, ju ftoj të gjithëve të jepni kontribut për paqe, tolerancë, harmoni e mirëbesim nga se ky është edhe mesazhi i Fitër Bajramit. Rastet e fundit në Stamboll e Irak, por edhe mbrëmë në Medinën e ndriçuar, afër varrit të pejgamberit tonë Muhamedit janë dëshmitë më të freskëta për të parë se çfarë mund të bëjnë kriminelet ku pësuan shumë njerëz të pafajshëm”, ka thënë Tërrnava.

Falja e Fitër Bajramit bëhet pas një muaj agjërimi i cili në Islam njihet si muaji i përkushtimit ndaj Allahut.

Fitër Bajrami është një ndër festat më të mëdha për myslimanët kudo në botë./KP