Konfirmohet vizita e Victoria Nuland në Kosovë – Kjo është agjenda e saj (Foto)

28

Victoria Nuland, ndihmësja e Sekretarit Amerikan të Shtetit, do të takojë zyrtarë të lartë, gjatë vizitës së saj në Kosovë e Serbi si dhe në disa vende të ndryshme të rajonit.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka njoftuar se vizita e saj në këto vende  të Evropës do të zhvillohet gjatë kësaj  jave dhe javës tjetër.

Aktualisht Nuland është duke e shoqëruar Sekretarin Amerikan të Shtetit, John Kerry, gjatë vizitës së tij në Gjeorgji, Ukrainë dhe Poloni.

“Me 10 korrik, Nuland do të udhëtojë në Prishtinë-Kosovë, ku do të takojë zyrtarët e lartë të Qeverisë dhe Shoqërisë Civile me këndvështrim në marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonale, përfshirë edhe përparimin në zbatimin e marrëveshjeve në dialogun  Kosovë-Serbi, mbështetjen e Kosovës drejt integrimit Euro-Atlantik dhe përpjekjet në luftën kundër korrupsionit”, shkruan në deklaratën e lëshuar sot nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Pas vizitës që do t’i bëjë Kosovës, sipas njoftimit të Departamentit Amerikan të Shtetit, Nuland do të qëndrojë edhe në Shqipëri e Maqedoni, për të diskutuar marrëdhëniet dypalëshe dhe rajonalem, raporton lajmi.net.