Në Podujevë u mbajt punëtoria “Procesi i përgatitjes së buxhetit 2017”

34

Misioni i OSBE-së në Kosovë, përkatësisht Zyra Regjionale e Mitrovicës, në partneritet me Komunën e Podujevës, organizoi sot në Podujevë punëtorinë me temën “Procesi i përgatitjes së buxhetit 2017”, njofton kumtesa komunale, transmeton Koha.net.

Në takimin, ku morën pjesë nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, kryesuesi i kuvendit Mehmet Gashi, drejtorët komunalë dhe anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa, është diskutuar për procesin e hartimit të buxhetit dhe format e organizimit të debateve publike, të cilat janë mbajtur gjatë këtij procesi.

Nënkryetari i komunës, Nexhmi Rudari, duke iu referuar hartimit të Kornizës Afatmesme Buxhetore 2017-2019, tha se Komuna e Podujevës në vazhdimësi angazhohet për avancimin e procesit të hartimin të buxhetit, duke hartuar buxhet në bazë të kërkesave dhe nevojave të të gjithë qytetarëve.

Ndërsa, meqë komuna e Podujevës është komuna më e madhe në Kosovë për nga territori, nënkryetari Rudari tha se janë praktikuar format e debatit me qytetarë, të organizuara nëpër bashkësi lokale siç janë: Orllani. Lluzhani dhe Kërpimehu.
Drejtori për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, tha se në bazë të Qarkores Buxhetore 2017/01, të lëshuar nga Ministria e Financave janë përcaktuar kufijtë fillestarë për Buxhetin komunal për vitin 2017 dhe projeksionet buxhetore për periudhën 2017/19.

“Në bazë të Kornizës Afatmesme 2017-2019, buxheti i Komunës së Podujevës edhe për vitin 2017 pritet të jetë i përafërt me atë të vitit 2016”, tha drejtori Latifi.

Të pranishmit në këtë punëtori vlerësuan se Komuna e Podujevës është ndër komunat më të mira në nivel vendi në procesin e hartimit të buxhetit, duke mbajtur debate publike me qytetarët e saj në lokalitete të ndryshme dhe me pjesëmarrje te kënaqshme.