Shteti liron nga burgu komandat Remin

1423

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa është liruar nga burgu. Mustafa ka dal prej Burgut të hapur të Smrekonicës pak muaj pas shkuarjes në vuajtje të dënimit. Gjatë kësaj kohe, ai ishte shfrytëzues i vikendeve si rezultat i sjelljeve të mira dhe risocializimit. Paneli për lirim me kusht ka vlerësuar se Mustafa është i gatshëm t’i kthehet shoqërisë duke mos paraqitur rrezik për rrethin.

Rrustem Mustrafa është në liri. Këtë liri ia ka mundësuar Paneli për lirim me kusht. Ai ka lënë Burgun e hapur të Smrekonicës më 14 korrik të këtij viti.

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit ka vuajtur tri vjet e tre muaj, e 11 ditë burgim të dënimit prej katër vjetësh për krime lufte kundër popullatës civile të kryera gjatë luftës në një të ashtuquajtur burg të UÇK-së.

I kanë mbetur edhe tetë muaj e 18 ditë të cilat do ti shlyej në liri.

Në aktvendimin e Panelit për lirim me kusht të përbërë prej Emine Kqikut – kryesuese, Sevdije Morinës dhe Muhamet Berishës – anëtarë jepet arsyetimi se pse është aprovuar kërkesa e Mustafës për lirim me kusht.

“Aprovohet kërkesa për lirimin me kusht për të dënuarin Rrustem Mustafa…, (1971), lindur në Perpellac  të Podujevës. Rrustem Mustafa do të lirohet me 14 korrik 2016 dhe do të jetë nën mbikëqyrjen e Shërbimit Sprovues të Kosovës deri me datën 1 prill 2017”, thuhet në aktvendim.

Aty sqarohet se parashtruesi i kërkesës, i dënuari Rrustem Mustafa me kërkesën e tij të pranuar më 5 prill 2016 i është drejtuar Panelit, me të cilën kërkon lirimin me kusht, për pjesën e mbetur të dënimit.

Pas pleqërimit të kërkesës, më 13 korrik 2016, Paneli ka shqyrtuar raportin e Shërbimit Korrektues të Kosovës përkitazi me programi e trajtimit si dhe shkallën e risocializimit të Mustafës.

Ekipi profesionistë i qendrës korrektuese ka vlerësuar se i dënuari është i motivuar, është person shumë i qetë, i shoqërueshëm, mjaftë komunikativ dhe jo dominues.

“Që nga fillimi i ekzekutimit të dënimit, i njëjti është angazhuar në aktivitetet punuese që aplikohen në institucionin korrektues. Respekton në përpikëri rregullat e institucionit dhe është i motivuar që të bëjë ndryshime në aspektin pozitiv”, thuhet në raportin vlerësues.

Sipas Shërbimit Korrektues, si rezultat i sjelljeve të mira Mustafa është shfrytëzues i pushimit në shtëpi si privilegj që aplikohet ndaj të dënuarve për sjellje të mirë dhe angazhim në programin individual të trajtimit.

Nuk ka të evidentuar ndonjë masë disiplinore apo vërejtje.

Raporti thotë se planet e Mustafës pas lirimit janë që të kthehet në familjen dhe të kujdeset për familjen e tij, si dhe të angazhohet në aktivitetet e tij.

“Duke u bazuar në sjelljet e tij, angazhimin e tij në planin individual të trajtimit, faktin se me parë nuk ka qenë i gjykuar për veprat penale, ekipi profesionist i qendrës korrektuese është i bindur në risocializimin e të dënuarit”.

Mbi këtë bazë, Paneli vlerëson se është arritur qëllimi i dënimit duke marrë për bazë raportin përmbledhës të ekipit profesionistë të Qendrës Korrektuese të bindur në risocializimin e suksesshëm, gjithashtu është marrë parasysh edhe koha e vuajtur e dënimit me shumë se 2/3 e dënimit qysh prej datës 01.12.2015, si dhe premtimi i dhënë zyrtarit të shërbimit sprovues se do të bashkëpunojë me këtë shërbim deri në skadimin e kohës së rregullt të dënimit.

“Paneli gjithashtu konsideron se qëllimi i dënimit është arritur”.

Lirimi i tij ka disa kushte. Mustafa nuk duhet të ndërrojë vendbanimin pa njoftuar Policinë dhe Shërbimin Sprovues, meqë paraprakisht duhet të kërkohet miratimi nga ana e Panelit për Lirim me Kusht.

Nuk guxon të tentojë që të udhëtojë jashtë Shtetit, pa miratimin e Panelit për Lirim me Kusht dhe të jetë më i kujdesshëm me sjelljet e tij në të ardhmen.

Mustafa, kishte shkuar në vuajtje të dënimit në fillim të këtij viti pasi Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë. Bashkë me të janë dënuar edhe Latif Gashi me gjashtë vjet burgim dhe Nazif Mehmeti me tri vjet.

Më 6 nëntor 2015, Gjykata e Apelit kishte vërtetuar dënimin me katër vjet burgim të ish-komandantit të Zonës së Llapit, Rrustem Mustafa – Remit dhe dënimin me gjashtë vjet burgim të ish-shefit të inteligjencës në këtë zonë, Latif Gashit i njohur si Lata.

Më tri vjet burgim është dënuar edhe ish-shefi i Policisë Ushtarake, Nazif Mehmeti – Dini.

Pas vërtetimit të dënimit, Rrustem Mustafa e Latif Gashi humbën mandatin e deputetit në Kuvendin e Kosovës. Ata janë anëtarë të lartë të Partisë Demokratike./Insajderi.com