Dua Lipa, koncert në Tiranë

30

Dua Lipa do të jetë në Tiranë më 10 gusht, në një koncert të hapur për publikun në sheshin “Nënë Tereza”. Njoftimin e ka dhënë vet këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, nëpërmjet një postimi në llogarinë e saj në “Instagram”.

“Jam shumë e lumtur të lajmëroj që do të shtoj një tjetër datë në kohën e qëndrimit në tokën mëmë, në Prishtinë, pasi do të qëndroj edhe në Tiranë më 10 gusht për një shfaqje. Jam gati dhe shpresoj që edhe ju jeni gjithashtu gati”, ka shkruar këngëtarja përkrah fotos që lajmëron koncertin e mbrëmjes së 10 gushtit.

Dua është kujdesur që përshëndetjen e fundit ta bëjë në gjuhën shqipe, “Shihemi së shpejti Tirana”, shkruan ajo.

Ky koncert vjen nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës. Kreu i saj Erion Veliaj ka zgjedhur po median sociale për të shpërndarë lajmin e koncertit. “Do ta mbyllim vitin tonë të parë në bashki me Dua Lipën në Tiranë. Shihemi të gjithë më 10 gusht te sheshi ‘Nënë Tereza’, në një koncert të hapur e falas për të gjithë!”, shkruan Veliaj në llogarinë e tij në “Facebook”.

Top Channel mëson se këngëtarja e ka përfshirë Shqipërinë përgjatë turit që ajo do të zhvillojë në të njëjtën kohë në disa vende të Ballkanit.

E rritur duke dëgjuar këngët e babait të saj, këngëtarit kosovar të “Rock”-ut, Dukagjin Lipa, ajo gjithmonë ka ushqyer një dashurinë të veçantë për Shqipërinë dhe shqiptarët, duke e theksuar dukshëm origjinën e saj.

Që prej vitit të kaluar, pas hitit të saj të parë “New Love”, më pas ka ardhur “Be the One” në tetor të 2015-s. Hiti i saj i tretë “Last Dance” u lançua në shkurt të këtij viti. Fama e saj ndërkombëtare është një kartolinë e mirë promovimi për Shqipërinë, pasi me gjasë një pjesë e fansave të saj jashtë kufijve do të jenë pjesëmarrës në koncertin e madh të 10 gushtit.