Tentojnë ta dështojnë koncertin, por Mozzik dhe Kida ndezën Podujevën

63

Prapaskena të çuditshme kanë ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në Podujevë, por që kulmuan në sukses të jashtëzakonshëm.

Ishte lokali “n’Bahçe t’Babs” që ka rezervuar mbrëmjen e të mërkurës për artistët e On Records, Kidën, Mozzik dhe Getinjon.

Megjithatë, telashet filluan me të arritur në vendin e ngjarjes, ku burimet e Telegrafit mësojnë se grupi i reperit të ri, Readit, ka dalë për të penguar koncertin dhe për të shkaktuar anulimin e tij, duke përdorur edhe mjete të forta dhe të rrezikshme.

Readi dhe Mozzik kanë pasur një konflikt të hapur që shumë kohë, me këtë të fundit që ka refuzuar të involvohet për shkak se konsideron se reperi nga Podujeva kërkon të fitojë famë në krah të tij, shkruan Telegrafi.

Bekim Bislimi, komandant i policisë rajonale të Podujevës, konfirmoi për Express incidentet.

“Mbrëmë rreth orës 21:20 minuta, në një lokal, ishte duke u mbajtur një koncert, ku nga disa persona të panjohur dyshohet se kanë hedhur dy shishe koktej molotovi, ku si pasojë e kësaj janë lënduar dy qytetarë, ku menjëherë janë dërguar për trajtim mjekësor. Të shtëna me armë nuk ka pasur.”, tha Bislimi

Menjëherë forca të shumta të policisë përfshirë edhe policinë speciale kanë dalë në vendin e ngjarjes për të garantuar sigurinë e artistëve dhe njerëzve prezent në klub pasi Kida dhe Getinjo përfunduan performancat e tyre.

Vet pronari i klubit të natës në fjalë falënderoi të pranishmit dhe tha se këto përpjekje nuk mund ta ndalin atë.

“Nuk ishte asgjë. Një përpjekje e disa adoleshentëve për të penguar një festë të madhe. Megjithatë, falënderoj policinë e Kosovës, të pranishmit dhe artistët për këtë mbrëmje të paharruar. Në gusht ata do të performojnë edhe një herë”, u shpreh Xhefi Mehmeti për Telegrafin.