U miratuar raporti financiar për periudhën janar-qershor 2016

40

 

Kuvendi i Komunës së Podujevës, në mbledhjen e mbajtur sot, ka miratuar raportin financiar për periudhën janar – qershor 2016, ka shqyrtuar Raportin e Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015, është informuar për përfundimin e vitit mësimor 2015 / 2016 dhe ka miratuar vendimin për mbështetje financiare për Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani”.

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi Mehmet Gashi- kryesues i Kuvendit, e ku ishte i pranishëm nënkryetari i Komunës, z.Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar Raporti financiar për periudhën janar – qershor 2016; Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015; Informata për përfundimin e vitit mësimor 2015 / 2016 dhe propozim vendimi për mbështetje financiare për Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani”.

Raportin financiar për periudhën janar – qershor 2016 para kuvendarëve e ka prezantuar  drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

“Shpenzimet e buxhetit për këtë  periudhe kanë arritur shumën prej 6,996,280 euro. Për paga 5,772, 383.00 euro, mallra dhe shërbime 479,872 euro, shpenzimet komunale 173,306 euro, subvencione 135,783 euro dhe investime kapitale 434,935 euro shprehur në përqindje 38% e buxhetit të planifikuar”, tha drejtori Isufi.

“Këto shpenzime janë në kuadër të planifikimit për këtë periudhë. Nëse bëjmë  një krahasim të shpenzimeve të kësaj periudhe me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi një zvogëlim të  shpenzimeve për 1.83%, gjë që  është reflektuar te investimet kapitale”, tha drejtori Isufi, duke potencuar se inkasimi i të hyrave vetanake komunale për periudhën janar–qershor 2016  janë 660,561 euro, ose 39% e planit vjetor, krahasuar me periudhën e njëjtë  te vitit 2015 është për 16.74% me e lartë.

Përkrahje raportit financiar i kanë dhënë këshilltarët e LDK-së, Fidan Rekaliu dhe Hasan Softolli duke e vlerësuar si një  raport i cili jep një pasqyrë të qartë të hyrave dhe të  dalave për periudhën raportuese.

Ndërsa këshilltarët e PDK-së, Rafet Llapashtica dhe Flakron Gashi i kanë bërë vërejtje raportit që kanë të bëjnë me shpenzimet buxhetore, veçmas nga të hyrat vetanake. Edhe këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Bahri Selimi ka adresuar vërejtje në raportin financiar gjashtëmujor.

Pas diskutimeve dhe sqarimeve të bëra nga drejtori i Buxhetit dhe Financave, lidhur me vërejtjet e bëra, Kuvendi me shumicë votash ka miratuar Raportin financiar të për periudhën janar – qershor 2016.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, para këshilltarëve komunalë prezantoi edhe të gjetura nga Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015.

“Sipas opinionit tonë  pasqyrat  vjetore  financiare  të Auditorit të Përgjithshëm prezantojnë  pamje të drejtë  në  të  gjitha aspektet materiale të pranimeve  dhe pagesave si dhe të  buxhetit të realizuar të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31.12.2015, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për shërbimin publik (të kontabilitetit në para të gatshme Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit dhe rregulloren financiare të ministrisë së financave për pasqyrat vjetore financiare”, tha drejtori Latifi.

 Më tej drejtori Latifi tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për komunën tonë është opinion i pakualifikuar.

“Në përgjithësi është një raport i mirë me të cilin jemi të kënaqur, natyrisht duke synuar që raportet e tjera të jenë edhe më të mira. Pra do të përpiqemi që të gjeturat në këtë  raport të përmirësohen, ose të eliminohen në tërësi”, tha drejtori Latifi.

“Nëse, komuna merr opinionin e  pakualifikuar atëherë tatimpaguesit mund të jenë të kënaqur,  sepse taksat e tyre po përdoren në mënyrë korrekte”, tha drejtori Latifi.

Përfaqësuesi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, është shprehur i kënaqur që raporti i Auditorit të Përgjithshëm është pozitiv dhe se kjo tregon punën e mirë që po e bën ekzekutivi i Komunës.

Ndërsa, përfaqësuesit e opozitës në Kuvend, janë përqendruar në të gjeturat e Raportit të Auditorit duke kërkuar eliminimin e tyre. Rafet Llapashtica shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Flakron Gashi këshilltar i PDK-së dhe Bahri Selimi i Lëvizjes Vetëvendosje, potencuan të gjeturat e theksuara në Raportin i Auditorit për vitin 2015

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se raporti i pakualifikuar i Auditorit  do të thotë një raport pozitiv dhe e radhit qeverisjen në Komunën e Podujevës ndër komunat më të suksesshme.

Nënkryetari Rudari ka falënderuar Ekzekutivin për punën e mirë të bërë gjatë vitit që shkoi, gjë që edhe ka bërë që të kemi një raport të pakualifikuar të Auditorit të përgjithshëm.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi është informuar për përfundimin e vitit mësimor 2015 /2016 dhe ka miratuar vendimin për mbështetje financiare për Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani”.