Veliu kërkon nga grumbulluesit e mjedrës të mos luajnë me djersën kultivuesve llapjanë

57

Kryetari i Komunës së Podujevës, z.AgimVeliu, u ka bërë thirrje grumbulluesve të mjedrës në Komunën e Podujevës që  të mos luajnë me mundin dhe djersën e kultivuesve të vyeshëm llapjanë, duke ulur përtokë çmimin e mjedrës.

Pas një numri të madh të ankesave, të cilat ditët e fundit kanë ardhur në adresën e Kryetarit të Podujevës nga kultivuesit e mjedrës për lojën me çmimin e këtij prodhimi, kryetari Veliu u bën apel pikave të grumbullimit të mjedrës që mos të luajnë me çmimin e  mjedrës, ngase kjo kulturë është shndërruar në elementin kryesorë të zhvillimit ekonomik dhe të punësimit të qytetarëve të Komunës së Podujevës, transmeton Indeksonline.

“Kjo kulturë është krenari dhe brend i këtij qyteti, ngase falë punës për kultivimin e saj shumë familje po i sigurojnë të ardhurat me të cilat mbajnë familjet e tyre, dhe po angazhojnë shumë punëtorë sezonal, prandaj si e tillë kjo veprimtari meriton të trajtohet me dinjitet”, ka thënë kryetari  Veliu.

“Ju rikujtojmë edhe njëherë se këto plantacione dhe këtë brend e kemi krijuar me mund në bashkëpunim të shkëlqyeshëm me kultivuesit llapjanë, andaj në asnjë formë nuk do të lejojmë të nëpërkëmbet puna e tyre”.

“Në rast se pikat e grumbullimit nuk ofrojnë kushte më të mira për kultivuesit llapjanë, ne do të kërkojmë forma dhe mundësi tjera për plasimin në treg të mjedrrës së llapit me trajtimin dhe çmimin e merituar”, thotë kryetari Veliu

Kryetari Veliu zotohet se Komuna e Podujevës edhe sivjet, sikurse vitet e tjera do t’i subvencionojë fermerët llapjanë me fidan mjedre, thuhet në një komunikatë për media.