“Dosja e Shefave IV”: Koordinimi i Thaçit e Grabovcit për bllokimin e reciprocitetit me Serbinë (Video)

72

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi është koordinuar për gjithçka me Adem Grabovcin. Ata, bëjnë plane se si të deklarohen rreth një iniciative të Lëvizjes Vetëvendosje për masën e reciprocitetit me Serbinë. Ata ishin kundër kësaj iniciative. Bashkëbiseduesit sulmojnë vazhdimisht Jakup Krasniqin duke e quajtur sheqer. AKR-së në koalicion, i referohen si “Pacollat”. Insajderi sjell gjashtë biseda të tyre telefonike të përgjuara me vendim të Gjykatës.

Hashim Thaçi e Adem Grabovci ishin koordinuar mirë për ta bllokuar një propozim të Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e mallrave nga Serbia dhe vënien e masës së reciprocitetit.

Në një bisedë telefonike të zhvilluar në nëntor të vitit 2011, Grabovci i raporton shefit, për këto zhvillime, duke i treguar se çfarë u kishte thënë gazetarëve.

 

“A e nxjerre situatën sot për të mirë”, e pyet Thaçi me telefon, pa e ditur se ai po përgjohej nga Policia për shkak të dyshimeve se “Shefi i shefave” siç e quan Grabovcin po hetohej për krim të organizuar.

Thaçi ndodhej në Amerikë dhe pritej të takohej me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton.

“Po mirë, mirë u nxjerr, mirë u nxjerr”, raporton Grabovci.

“Edhe gazetart qitash m’pyetën, thash kjo nuk ka ra ndesh me qëndrimet e Qeverisë sepse Qeveria osht duke e zbatu këtë masën e reciprocitetit. Ne nuk jemi për…”, vazhdon Grabovci.

 

Ata vazhdojnë bisedën për Ligjin për vlerat e luftës dhe për ish-Ministrinë e Mbrojtjes. Thaçi thotë se nuk janë më të mirë as anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm sesa ata të Ministrisë së Mbrojtjes që drejtohej nga LDK-ja gjatë luftës.

“Jo, jo tybe ma t’mirë jo, ja këtu pajtona plotësisht”, thotë Grabovci.

“Po le burrë… mos ja qi nanën…”, i përgjigjet Thaçi.

Grabovci i shpreh keqardhje shefit për shqetësimet e mundshme që mund t’i ketë pasur për shkak të zhvillimeve në Kuvend.

“Menoj që e kem nxjerr situatën mirë, jo unë u shqetësova se më erdh keq se ishe në bisedime ti e…”, thotë Grabovci, derisa Thaçi e pyet se a ta ka “lu kush”.

“Mu lema kha Hillaryn edhe kit Azaunin”, thotë Thaçi, pa sqaruar më shumë.