Rinia e Llapit: Politikanët t’i lënë anash ambiciet personale, në interes të së ardhmes evropiane të rinisë kosovare

42

Në ditën ndërkombëtare të rinisë, kur të rinjtë tanë po përballen me sfida nga më të ndryshmet, që nga shkollimi, punësimi dhe nevoja për trajtim të barabartë me të gjithë të rinjtë e Evropës.

Pikërisht, kjo ditë na bën të flasim, e ta ngrehim zërin ndaj zhvillimeve të gjithmbarshme në vendin tonë, me theks të veçantë tek ato zhvillime që nga persona të caktuar, të vendit – komunës tonë, që me veprimet e tyre, me ose pa vetëdije, po nxisin ndasi e po krijojnë huti dhe pengojnë procesin tonë integrues.

Sfidat më të mëdha të vendit, që në momente kohe vënin në pikëpyetje edhe ekzistencën tonë i kaluam falë ndihmës nga ata që sponsorizuan qenien tonë si shtet.

Fatkeqësisht në mesin tonë, nga persona me agjendë të turbullt, dalin zëra që e kontestojnë, ndihmën dhe partneritetin e dëshmuar të miqve dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë, të cilët na ndihmuan të çlirohemi dhe me aktin e shpalljes së pavarësisë, njohën ekzistencën e shtetit tonë në kufijtë dhe tërësinë territoriale, të cilët tani po shenjëzohen si kufij shtetëror.

Si të rinj, në këtë ditë të shënuar, gjejmë rastin ti falënderojmë ata që falë tyre në mund të punojmë, arsimohemi e festojmë të pavarur, duke premtuar angazhimin tonë që dijen e marrë ta vendosim në shërbim të çuarjes përpara të shtetit tonë.

Zhvillimet e fundit politike në vendin tonë, ndonëse janë jashtë fushëveprimit tonë, si mekanizma jo-qeveritarë, na bëjnë të adresohemi,  sepse bindjet e disa individëve, agjendat e tyre të mbrapshta dhe lufta e xhelozia personale e profesionale ndaj mekanizmave shtetërorë, po e dërgon vendin tonë në rrugë qorre dhe po e vazhdon izolimin tonë në raport me Evropën e bashkuar.

Ne,  të rinjtë, u bëjmë thirrje atyre që bartin tri e me shumë vende pune, marrin tri e më shumë paga, kanë viza dhe shëtisin çdo muaj vende të ndryshme evropiane që t’i lënë anash ndasitë me qëllim protagonizmin politik dhe t’i thërrasin mendjes e të mendojnë për të ardhmen tonë.

E ardhmja e të rinjve të vendit tonë është në Bashkimin Evropian. Çdo tendencë për ta penguar këtë të ardhme është e papranueshme për të rinjtë tanë, të cilët besojnë në shtetin e Republikës së Kosovës.

Organizatat

Këshilli i Veprimit Rinor Lokal KVRL, Qendra Rinore Publike (QRP), Elita e Rinisë (EL), ART X, Alternativa e Re Llapi (ARLL), For Youth, EPILOG, Elita e Re Studentore (ERS), Lidhja Rinore Blue (LRB)

Podujevë, 12 gusht 2016