Prapë dështojnë negociatat në Bruksel për telekomunikacionin

23

Serbia do marrëveshje për telekomunikacionin me Kosovën pa ndryshuar gjendja e tashme.

As pas 20 orësh negociata në Bruksel, delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit nuk ia kanë dalë që t’i harmonizojnë të gjitha çështjet e domosdoshme për zbatimin e marrëveshjeve rreth telekomunikacionit

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, ka thënë se pret që në një të ardhme jo të largët bisedimet rreth kësaj teme do të vazhdojnë, raporton RTS.

Siç ka thënë Gjuriq, numri i çështjeve të paharmonizuara është zvogëluar, por ka shtuar se delegacioni serb nuk ka lejuar rrezikimin e pronës së Serbisë dhe të parimeve të cilat po të fuqizoheshin do të mund të përbënin presedan për bisedimet e ardhshme rreth kësaj çështjeje të rëndësishme.

Ai citohet të ketë thënë se pala serbe ka insistuar që serbëve në Kosovë, njëherë kur do të ndodhë zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit, t’u bëhet e mundur të bëjnë biseda telefonike me pjesët e tjera të Serbisë pa përdorim të kodit thirrës, sipas tarifave dhe numrave deri tash të përdorur.

Siç është shprehur Gjuriq, delegacioni serb ka përballuar edhe fyerjet dhe presionet dhe ka qëndruar i përkushtuar gjetjes së kompromisit dhe të zgjidhjeve të qëndrueshme.