Biden: Kosova nuk ka mik më të mirë se SHBA-të

20

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, Joe Biden ka thënë gjatë konferencë së sotme me presidentin Thaçi se po kthehet në Kosovë pas 7 viteve për të parë gjendjen.

Ai tha se Obama gjithmonë bën shaka me të, sepse krejt politika është krejt personale e në veçanti në skenën nacionale, transmeton Indeksonline.

“Do të largohem nga ky vend sot pasdite me shpresë për rimëkëmbje, dhe mendoj se gjithmonë e kam mbajtur vëmendjen qysh kur kemi biseduar për pavarësinë. Kjo vizitë ka rëndësi për mua, gruan, djalin, nusen dhe dy nipërit e mi. Pata qejf që edhe ata të jenë këtu, ta shohin Kosovën dhe ta shijojnë atë”, ka thënë Biden.

Gjithashtu Biden ka theksuar se kur djali i tij Beau, ishte kryeprokuror i shtetit, ai doli vullnetar shumë herët për të dal në Kosovë, dhe u kthye në vend jo si ushtar por si anëtar i departamentit të shtetit amerikan.

“Janë me fat ata prindër që i shohin fëmijët e tyre që janë bërë më të mirë se ata, dhe unë kam qenë i suksesshëm sepse Beau ka qenë më i mirë se unë sepse e diti se sa e rëndësishme ishte që Kosova të ishte e pavarur”, ka shtuar Biden.

Gjithashtu Biden ka theksuar se sot me familjen e tij do të marr pjesë në emërimin e një rruge me emrin e djalit të tij Beau.

“E falënderoj Mustafën, Thaçin dhe miqtë kosovarë për miqësinë që kanë treguar për mua dhe familjen time. E çmoj shumë një gjë të tillë”, ka thënë Biden.

Ai nuk ka lënë pa cekur se në Kosovës është për një arsye të rëndësishme dhe jo vetëm për të nderuar djalin e tij.

“Këtu jam për një arsye shumë të rëndësishme e jo për ta nderuar vetëm djalin tim. Shpreh urime për zgjedhjen e Thaçit president dhe e di se sa shumë brengoseni ju për Kosovën dhe të ardhmen e saj. Ju gjithmonë e vini vendin në vend të parë, këtu jam për t’ju siguruar se SHBA do të vazhdojnë të qëndrojnë pranë Kosovës gjithmonë, e s’po e them vetëm si shprehje amerikane, por ky është suksesi juaj i jashtëzakonshëm edhe për interesin e vendit tim. Nëse ju arrini sukses, atëherë edhe rajoni do të ketë sukses. Duhet të kemi një Evropë të lirë dhe të bashkuar, e kjo është shumë e rëndësishme për Kosovën”, ka thënë Biden.

Po ashtu Biden ka thënë se në vitin 2009 ka qenë në Kosovë, menjëherë pas zgjedhjeve dhe shumë njerëz kishin pyetur se “pse menjëherë pasi u zgjodhët vizituat Kosovën, mirëpo në atë kohë dëshironim të demonstronim interesimin tonë ndaj Kosovës si shteti më i ri”.

“Më vjen mirë që pas 7 viteve po shoh një përparim në Kosovë, keni marr njohje më të mëdha, më keni dhënë listën e shteteve që ju kanë njohur. Jeni në një pozitë ku bota po iu njeh, keni arrit njohje të mëdha globale, po bëni gara me emrin dhe flamurin tuaj. Majlinda duhet të jetë shumë e fortë, sepse po mban një medalje me peshë të madhe.Mbesa ime më pyeti pse e ka fituar Majlinda medaljen, i thash sepse është shumë e fuqishme dhe më vjen mirë që ajo erdhi të më pres në aeroport sepse më bëri hero para nipërve”, ka thënë Biden.

Gjithashtu Biden ka theksuar se përkundër disa mendimeve të pakicës që disa herë janë të tepërta dhe nuk dëshirojnë të nënshkruajnë marrëveshjen për malin e Zi, ky është shembull sepse po thoni se marrëveshja është e drejtë dhe do të ketë ndikim

“Dhimbjet e luftës janë ende të freskëta për ju, e di shumë, kam qenë shpesh në ndërtesa, strehimore, spitale dhe shtëpi botuese dhe kam parë vuajtjet që kanë ndodhur, por të gjitha këto vraga janë ende të freskëta. E vetmja mënyrë që Kosova të ec përpara është të avancohet pajtimi dhe të drejtat e qytetarëve të jenë të mbrojtura”, ka thënë Biden.

Po ashtu ai ka përgëzuar presidentin Thaçi për pjesëmarrjen e tij në Grackë.

“Ju përgëzoj që keni marr pjesë në Grackë ku keni nderuar viktimat serbe të vitit 1999 dhe fëmijët që janë vrarë në vitin 2003, por këto janë dëshmi e përparimit që Kosova po arrin përmes udhëheqjes suaj .Kërkohet bashkëpunim i ngushtë me vendet fqinje e madje edhe me ish-armiqtë tuaj, Mustafa dhe Thaçi kanë shprehur përkushtim për vazhdimin e dialogut në Bruksel. Themelimi i asociacionit do të jetë i domosdoshëm por i zorshëm. Unë fola edhe me Vuqiçin dhe të dyja palët përballen me zëra të ndryshëm, por e keni përgjegjësinë t’ju përmbaheni zotimeve që i keni dhënë”, ka thënë Biden.

Sipas tij pa një gjë të tillë nuk do të mund të arrihet asgjë, edhe pse SHBA vazhdon të mbet afër Kosovës. SHBA kanë dhënë afër 2 miliardë ndihma për Kosovën dhe do të vazhdoj të bëj një gjë të tillë edhe në të ardhmen.

“Dëshirojmë të kemi Kosovë të fortë si anëtare të fortë të komitetit evropian sepse dhuna e përdorur për të penguar disa procese evropiane janë të papranueshme.

Poashtu Biden ka theksuar faktin se është e domosdoshme të vazhdohet rruga për të luftuar krimin dhe korrupsionin, sepse duhet vazhduar të luftohet gjithsesi, dhe duhet parandaluar zyrtarët e penguar apo ndaluar që të bëjnë punën zyrtare.

“Tërë jetën time e kam kaluar duke shkuar nga një vend në tjetrin, sepse çdo vend që përballet me korrupsion është pasojë e qeverisjes së fundit. Korrupsioni është kancer dhe nëse nuk e trajtoni këtë, atëherë mundësia që Kosova të ec përpara nuk është e mundur. Shpresoj të kemi një Kosovë të fortë, demokratike dhe si anëtare të plotë të BE-së pa korrupsion. Mirëpo përdorimi i dhunës dhe kërcënimeve është e patolerueshme në secilën shoqëri”, ka thënë Biden.

Biden gjithashtu ka shtuar se Kosova s’është e vetme, keni miq nga tërë bota dhe s’keni mik më të se Shtetet e Bashkuara të Amerikës./Indeksonline/