Bono ndihmon të shpërngulurit në Nigeri

10

Frontmeni i grupit “U2”, Bono Vox, iu bashkua të hënën njeriut më të pasur të Afrikës, Aliko Dangote, në një konferencë për shtyp në kryeqytetin e Nigerisë, Abuja, për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me personat e shpërngulur në Nigerinë verilindore.

Rokeri, i cili prej kohësh është një zëdhënës i të varfërve, së bashku me Dangoten kanë vizituar disa prej të shpërngulurve në kampet e tyre në qytetin verilindor të Maidugurit. Gati gjysmë milioni fëmijë rreth liqenit Chad përballen me kequshqyerje akute për shkak të thatësirës dhe rebelimit të grupit militant Boko Haram, siç bën të ditur UNICEF.

Këngëtari irlandez, i cili është gjithashtu ambasador i vullnetit të mirë të komisionit të lartë të Kombeve të Bashkuara për refugjatët, tha se shpreson që vizita e tij në Nigeri të ndihmojë për pasqyrimin e vendit në faqet e para të mediave botërore, transmeton Top Channel.

“Ky është një vend i mrekullueshëm, i mbushur me mundësi e potencial, por këtu ka një problem serioz. Dy milionë njerëz janë të shpërngulur. Dhe për një irlandez si unë, kjo është e vështirë për t’u konceptuar. Vendi ynë përbëhet nga vetëm katër milionë banorë”, ka deklaruar Bono.

Ndërkohë, Dangote, një miliarder me kompani që operojnë në të gjithë Afrikën, në një biznes që shtrihet nga çimentoja deri te mielli, u zotua të vazhdojë mbështetjen financiare për lehtësimin e krizës.

Bono, bashkëthemelues i grupit humanitar ndërkombëtar One, ka lobuar në shumë kryeqytete botërore për kauza të tilla si lehtësimi i borxheve, zbutja e varfërisë dhe luftimi i AIDS-it.